Dëshmitari: Rrushe e Latife Kolollin i vranë forcat serbe

Prishtinë | 30 Pri 2024 | 12:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Nuredin Abazi tha se Latife dhe Rrushe Kolollin i vranë forcat serbe, pasi që trupat e tyre janë gjetur në një zonë ku vazhdimisht ka pasur patrullime nga ata.

Dëshmitari tha se vendi ku janë gjetur këto dy gra, ka qenë vend i rrezikshëm për të pasur qasje UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo. Unë kam kuptu tek mas luftës se ato janë gjetur me një udhëkryq, në udhëkryq të cilin vazhdimisht patrullonin policia dhe ushtria e Serbisë, me autoblinda…I kanë vra forcat serbe se ka qenë e pamundur që me hy na si ushtri. Ka qenë vend tejet i rrezikshëm. Kur janë gjet trupat e tyre, se mbas luftës kam dëgju, ka qenë tejet e rrezikshme me u afru aty na se ai vend ka qenë gjithmonë me autoblinda e tanke të Serbisë”, tha dëshmitari.

Abazi tha se ka dëgjuar se trupat e këtyre grave janë gjetur në rrugën kryesore Suharekë-Prizren.

“Sa e di unë ato janë gjet afër Leshanit, rrugës kryesore që shkon për Suharekë-Prizren. Rruga që shkon për fshatin Leshan aty është udhëkryqi, njëfarë ishulli. Aty kam dëgju që janë gjet, se as nuk i kam parë”, tha dëshmitari.

Duke folur për kohën kur kishte biseduar me këto gra, Abazi tha se nuk kishte autoritetin që t’i ndalonte.

Madje, edhe për Sadik Halitjahën tha se nuk i ka njohur këto gra më herët.

“Sadik Halitjaha nuk i ka njohur fare ato. Ku ka pas me i njoftë Sadik Halitjaha, kur Sadiku ka ardhë prej Zvicrës e s’i ka njoftë as 10 % të popullatës. 15 vjet në Zvicër ka qenë pa ardhë hiç”, tha ai.

Dëshmitari tha se këto gra si të dyshimta i kishte sjellë Musë Çerkini pasi që ishin parë teksa hynin dhe dilnin nga stacioni i policisë serbe.

“Që i kanë legjitimu, gjegjësisht Musë Çerkini. Mendohej se kanë bashkëpunu me policinë serbe, i kanë parë duke hy dhe dalë nga stacioni i  policisë, e kështu me radhë”, tha ai.

I pyetur se pse ishte i dyshimtë ky veprim, dëshmitari Abazi tha se ishin në gjendje lufte me stacionin e policisë e me ushtrinë Serbe.

“Se ishte gjendje lufte, luftë kishim me stacionin e policisë, me ushtrinë e Serbisë. Bashkëpunimi me ata ka qenë i palejueshëm, i parregullt,  i pamoralshëm. Gjendje lufte”, tha ai.

Nga biseda me dy gratë, dëshmitari tha se e kishte kuptuar se veprimet e tyre në stacionin e policisë ishin për çështje të ulëta morali.

“Ne, bashkëbiseduam me ato rreth asaj çka pretendohej, por gjatë bisedimeve u konstatu se nuk ka kurrgjë të dyshimtë. Ato thjesht i kishin bërë ato veprime për çështje të ulëta të cilat ia kam thënë edhe prokurorit”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se nuk ka raportuar tek Sadik Halitjaha për këtë bashkëbisedim me këto dy gra.

“S’ka pas nevojë me i raportu. S’ka pas kurrfarë nevoje… Gjithherë nuk kemi mujt me kontaktu me komandantin se ai ka qenë edhe i zanë me detyra tjera. Shpesh ka mungu nga brigada, shpesh ka qenë e panevojshme. Kështu, disa gjana nuk kam mujtë me i raportu”, tha Nuredin Abazi.

Abazi shtoi se i tha Agim Zybës dhe Naim Kadollit se gratë duhet të liroheshin.

“Kam bisedu me Agimin dhe Naimin, Naim Kadollin, ( iu thash) femrat duhet të lirohen se nuk ka asgjë kontestuese, s’ka asgjë të ndaluar që kam konstatuar gjatë bisedimit me to. Krejt ishin çështje të ulëta të cilat nuk janë, nuk ja vlen me diskutu për ato, çështje morali që nuk ia vlen me u përmend. Ishin për çështje morali”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk e di nëse ata e kanë bërë një gjë të tillë dhe se a i kanë shoqëruar gratë në ndonjë vend tjetër.

 Dëshmitari Abazi thotë se Thaçi ka qenë udhëheqës politik në UÇK, por nuk e ka takuar kurrë

Nuredin Abazi i cili është duke dëshmuar në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë që Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik në UÇK.

“Po, kanë qenë staf politik. Udhëheqës politik i UÇK-së”, tha Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, ai tha që me Thaçin dhe anëtarët e tjerë të Shtabit nuk është takuar asnjëherë gjatë luftës.

“Jo kurrë. S’besoj që më njohin as ata mu. Veç në televizor i kam pa mbas luftës”, tha dëshmitari.

Sa ishte në funksion në Budakovë, dëshmitari mohoi se ka trajtuar çështje të ndalimit atje.

“Nuk kemi pas çështje të ndalimit na asnjëherë. Kemi pas çështje të legjitimimit, kryesisht të identifikimit të personave të cilët kanë hyrë në zonën e luftës dhe kurgjo tjetër”, tha ai.

“Për detyrë e ka pas roja që e ka përkufizu zonën. Ata e kanë pas për detyrë me e identifiku se kush po hynë në zonë dhe kush po del, jo unë”, tha Abazi.

I pyetur se në rast që ndonjë ushtar bënte shkelje kush e merrte në pyetje, dëshmitari tha se e bënte ai, duke e korrigjuar avokatin Luka Mishetiq se ishte bashkëbisedim.

“Me bashkëbisedu me atë, unë. Objektivi ishte gabimi që kishte bërë ai që ka shkelë diçka që s’është dashtë me e ba, një veprim jonjerëzor, jo të duhur”, tha ai.

Dëshmitari Abazi tha se pas bashkëbisedimit i raportonte komandantit, duke treguar edhe masat që i merrnin.

“I raportoja komandantit. S’ka pas nevojë, ka qenë një shkelje e vogël , ia kemi dhënë një vërejtje ose një roje jashtë orarit dhe ka përfundu më kaq se s’kemi pas çka me i ba”, tha ai.

 Nuredin Abazi: Nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake ndonjëherë në UÇK

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë Nuredin Abazi, i cili deklaroi se nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake gjatë kohës së luftës, kur ai ka shërbyer si këshilltar juridik në Zonën Operative të Pashtrikut.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri të martën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ka pas ndonjëherë Gjykatë Ushtarake dhe as që është krijuar ndonjëherë ndonjë Gjykatë Ushtarake, sa e di unë. Gjykatë Ushtarake nuk ka pas kërkun në Kosovë pasi që për themelimin e një Gjykate Ushtarake, janë dashtë kushtet e veçanta të cilat atëherë na kanë munguar dhe kemi qenë të pazotë që ta krijojmë një gjykatë të tillë pasi ofensivat nuk na kanë lanë me e çu kokën. Nuk kemi mendu diçka rreth asaj përveçse me u mbrojtë dhe me marrë pjesë në aksione”, tha Abazi.

I njëjti shtoi se Gjykatë Ushtarake edhe sot nuk ka mbas 25 viteve paqe.

“Nuk jemi t’u mujtë me e themelu tani Gjykatën Ushtarake e lëre më atëherë në kushte të luftës. Prapë po e ceki, sa e di unë kurrë nuk kam ni për Gjykatë Ushtarake dhe as nuk ka pas Gjykatë Ushtarake”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Mishetiq ia prezantoi dëshmitarit disa fragmente nga libri i Ilaz Kadollit të titulluar “Syri i Shqiponjës”, në të cilin përmendej një iniciativë për krijimin e një Gjykate Ushtarake.

“Thotë; në fillim të marsit 1999, baza- njësiti “Syri i Shqiponjës” ishte zhvendosur nga shtëpia e Ilnaz Papajt nga Vneshta në fshatin Kastër të Therandës rreth 100 metra pranë Shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut. Njëri nga ushtarët në rojë më njoftoi se më kërkonte një rojë nga Shtabi i Përgjithshëm. E pyeta; Kush ishte?, më tha se ishte një burrë i moshuar që quhej “Baca Kolë”. Baca Kolë e quanim Sokol Dobrunën nga Gjakova”, tha Mishetiq, gjatë leximit të këtij fragmenti.

Sipas Mishetiq, në këtë libër përmendej edhe Nuredin Abazi që sot është dëshmitar, që ka pasur mundësi që të shërbejë në Gjykatën Ushtarake pasi në kohën e luftës ishte jurist i diplomuar.

“Tek paragrafi i dytë thuhet; Kola më njoftoi arsyen e ardhjes në Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht takimit me mua dhe se ishte caktuar që të shtrinte degët e kësaj gjykate në të gjitha zonat ushtarake. Në fillim do të vepronin si shërbime juridike, ndërsa aty ku kishte kushte edhe si gjykatë dhe se do të ishin të lidhura në qendër me Shtabin e Përgjithshëm. Kola më bëri të ditur se unë isha caktuar që të organizoja Gjykatën Ushtarake në Zonën Operative të Pashtrikut, ndërsa urdhëresa do të më vinte me vonë përmes korrierëve”, lexoi Mishetiq.

Sipas avokatit, aty ishte biseduar edhe për ushtarët që mund të shërbenin në Gjykatën Ushtarake.

“ Baca Kolë më kishte parasysh për shkak të njohjes së mëhershme të profesionit tim jurist. Biseduam edhe për ushtarët e tjerë që mund të shërbenin në Gjykatën Ushtarake dhe u përmendën emrat e juristëve si Nuredin Abazi, Emri Gashi dhe të tjerë me të cilët fillimisht do të formohej shërbimi juridik në kuadër të zonës, ndërsa më vonë edhe vetë gjykata ushtarake”, tha Mishetiq duke lexuar fragmente nga ky libër.

Në këtë seancë, pati një diskutim mes prokurorit James Pace, trupit gjykues dhe avokatëve mbrojtës lidhur me dëshminë e këtij dëshmitari dhe vërtetësinë e deklaratave që ai i kishte dhënë ndër vite në autoritetet e drejtësisë.

Prokurori Pace propozoi që të merret parasysh deklarata e dëshmitarit e dhënë sipas rregullës 154. Ndërsa, mbeti që trupi gjykues të marrë një vendim lidhur me këtë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme