Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari Mark Shala ka thënë se kur filloi operacioni i quajtur “Shigjeta” në zonën e Pashtrikut, u rritën kërkesat e ndryshme e sidomos ato për municion.
“Fillimisht i kemi bërë përgatitjet dhe i kemi furnizu njësitet me armë dhe municion dhe në bazë të mundësive tona. Jemi furnizu në mënyra të ndryshme me aq sa kemi pas i kemi furnizu njësitet përpara dhe kur ka fillu operacioni janë rritë kërkesat, ka pas kërkesa të mëdha për municion”, tha dëshmitari Shala.
Dëshmitari këtë deklarim e bëri gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Gaia Pegolo.
“Ju caktuan shef logjistike për operacion “Shigjeta”, operacionet luftarake të këtij operacioni kur kanë ndodhë?”, pyeti prokurorja Pergolo.
Kurse, dëshmitari Shala tha se operacionet e para në drejtim të Koshares kanë nisur në fillim të muajit prill.
“Operacionet e para në drejtim të Koshares kanë fillu në fillim të prillit, ndërsa përgatitjet për operacionin Shigjeta kanë fillu duke bërë përgatitje, mirëpo operacioni ka fillu diku ka mesi apo 20 maj aty përafërsisht, po data saktësisht nuk më kujtohet”, tha Shala.