Zenka Pumper, koordinatore e hetimit në Dhomat e Specializuara, po vazhdon dëshminë e saj në seancën ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Ajo ka thënë se ka parë edhe versionet e paredaktuara të paketave që ishin në zyrat e OVL të UÇK-së, njofton Klan Kosova.
Pumper, e cila është dëshmitarja e parë, është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici rreth “Paketës 2”, e cila përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve, të cilat ishin kryer nga Task Forca Speciale Hetimore dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ajo ka pohuar se aty kishte emra të dëshmitarëve të mbrojtur.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.