Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është vendosur që në prova materiale të pranohen dëshmitë e disa dëshmitarëve.
Sipas zëdhënësit të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, më 13 dhjetor 2024 është marrë vendim që të pranohen në prova dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve, është hudhur poshtë pranimi i një dëshmie, ndërsa për një tjetër është shtyrë vendimi derisa Zyra e Prokurorit të Specializuar t’i përmbush kushtet ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Doyle tha gjithashtu se më 16 dhjetor, trupi gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të pranuar si prova deklaratat e mëparshme të një dëshmitari dhe në një vendim tjetër miratoi pjesërisht një kërkesë lidhur me dëshmitë e tre dëshmitarëve ekspertë.
Në të njëjtën datë, ai tha se është pranuar një viktimë për të marrë pjesë në proces, duke e çuar numrin e viktimave pjesëmarrëse në 154.
Duke folur për këtë çështje, Doyle tha se është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Ai tregoi se më 17 dhe 18 dhjetor 2024, janë bërë publike tri marrëveshje për pranimin e fajësisë në mes ZPS-së dhe Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit lidhur me akuzat për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtarë si dhe atë për frikësim.
“Në seancën e 18 dhjetorit u diskutuan edhe aspekte të tjera lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë, ku të pandehurit konfirmuan se i kishin diskutuar marrëveshjen me avokatët e tyre, dhe se i kishin kuptuar marrëveshjet dhe pasojat e saj. Të pandehurit konfirmuan gjithashtu se ata u pajtuan me vullnet të lirë me marrëveshjen dhe se hoqën dorë nga e drejta për t’u gjykuar. Një seancë e ngjashme për të diskutuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga zoti Bahtijari filloi sot pasdite”, tha Doyle.
Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, që ka të bëjë me ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve, të martën më 17 dhjetor, Doyle tha se u mbajt konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes.
“Aty u diskutuan nxjerrja e provave nga Prokuroria për mbrojtjen dhe aspekte të tjera lidhur me përgatitjen e shpejtë të çështjes gjyqësore për gjykim. Në të njëjtën çështje gjyqësore, administratorja njoftoi gjykatësen e procedurës paraprake më 13 dhjetor lidhur me miratimin me kusht të zonjës Sophie Menegon si bashkëmbrojtëse të zotit Thaçi”, tha ai.
Ai shtoi se pushimi dimëror i gjykatës fillon të hënën (23 dhjetor) dhe zgjat deri të premten e 10 janarit 2025.
“Gjatë kësaj periudhe, nuk do të ketë seanca, dhe disa shërbime jothelbësore do të funksionojnë në nivel minimal. Megjithatë, Gjykata do të jetë në funksionim të plotë dhe puna do të vijojë si zakonisht në të gjitha njësitë e DhSK-së. Gjatë pushimit mund të dorëzohen parashtrime, përveç nëse gjykatësit urdhërojnë ndryshe, dhe afatet gjyqësore vijojnë të jenë në fuqi”, tha ai.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.