Dëshpëron Kosova, humb nga “outsajderi” i grupit – Bjellorusia shënon fitoren e parë

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 22:48 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka dëshpëruar duke pësuar humbje nga Bjellorusia, e cilësuar si “outsajderi” i grupit. Dardanët pësuan me rezultat 2:1 në ndeshjen e katërt kualifikuese të Kampionatit Evropian, e cila u zhvillua në Budapest.

Dardanët dominuan thuajse për tërë ndeshjen, por i lëshoi koncentrimi në 15 minutat e fundit, duke pësuar dy herë në dy minuta, nga gabime.

Goli i parë u shënua në minutën e 73-të nga Vladislav Morozov, i cili shfrytëzoi një gabim trashanik i Hekuran Kryeziut.

Vetëm dy minuta më vonë, mbrojtja e Dardanëve u tregua shumë e pakujdesshme dhe Maks Ebong shënoi me lehtësi për 2:0.

Në minutën e 87-të, Kosova arriti ta ngushtojë epërsinë përmes Vedat Muriqit, i cili shënoi nga penalltia, por ky gol doli të jetë vetëm për statistika.

Me këtë humbje, Kosova thuajse i shuan shpresat për një kualifikim në Evropianin e ardhshëm, pasi që tani kanë vetëm tre pikë në vendin e parafundit, pesë më pak se vendi i dytë që mbahet nga Rumania.

Këta të fundit arritën ta nxjerrin një barazim me rezultat 2:2 në udhëtim te Zvicra, ndeshje të cilën ishin duke e humbur me rezultat 2:0, por pas minutës së 90-të shënuan dy gola.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Izraeli shënoi fitore 2:1 ndaj Andorrës dhe shkoi në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tretë.

Të ngjashme