Dështimi i filozofisë së Sorosit në Shqipëri!

Prishtinë | 28 Shk 2017 | 16:04 | Nga Blend Fevziu

Në Dhjetor 1991, kur Xhorxh Soros vendosi të ngrejë fondacionin e tij në Tiranë, Shqipëria ishte vendi i fundit i Lindjes ku komunistët nuk kishin rënë ende nga qeverisja dhe ku opozita demokratike pritej të vinte shpejt në pushtet. Fondacionet e miliarderit amerikan qenë ngritur më herët në Budapest dhe në gjithë vendet e Lindjes. Në disa prej tyre, kur komunistët ishin ende në fuqi dhe sundonte sistemi një partiak. Shqipëria ishte në 1991 vendi i vetëm ku ai nuk kishte ende një strukturë të tillë.

I frymëzuar nga idetë e Karl Poperit, një ndër filozofët më të mëdhenj të shekullit të XX, Në konflikt me autoritarizmin e filozofisë marksiste, Soros besonte tek demokracia liberale dhe shoqëria e hapur. Ai i vuri fondacioneve të tij, këtë emërtim dhe i instruktoi ato që të punonin pikërisht në këtë drejtim. Pra në vendet e mbyllura dhe të ndrydhura ish komuniste, ku mendimi i lirë nuk ekzistonte dhe ndëshkohej, ai tentoi të frymëzonte një shoqëri të hapur, të mbështetur mbi mendimin e lirë dhe liberal. Ithtar i kësaj teorie, ai hyri thellë në zhvillimet politike në ish Jugosllavi dhe në vendet e tjera.

Ideja e fondacionit ishte të identifikonte personazhe dhe personalitete, kryesisht të rinj, të cilët të përbënin bazën e një të ardhmeje politike dhe shoqërore liberale në vendet ku ata militonin. Pra, që të evidentohej, zgjidhej, mbështetej dhe të konsolidohej ajo që konsiderohej si elita e ardhshme e këtyre vendeve. Por gjithnjë një elitë e mbështetur mbi teoritë dhe tezat e demokracisë liberale. Fondacioni do ta lehtësonte karrierën e këtyre njerëzve përmes financimit dhe lobimit politik për ta.

Historia e Fondacionit Soros në Shqipëri është më e komplikuar dhe specifike. Që kur Fron Nazi, një shqiptaro – Amerikan i rritur në Bronks dhe me origjinë nga Puka mbërriti në Tiranë në Dhjetor 1991 dhe deri më sot, Fondacioni ka pasur dy drejtime. I pari ka qenë ai i filozofisë politike të Fondacionit dhe i dyti ai administrativ dhe lidhej me projektet dhe përfituesit e tyre. Ne jemi duke ndërtuar një prej dosieve më të plota të veprimtarisë së tij që do publikohet këtë fundjavë. Aktiviteti administrativ ka pak rëndësi, ndërsa ai politik ka qenë më evident. Prej 1992 – 1996 Fondacioni u orientua tek opozita liberale e Sali Berishës, kryesisht bashkëthemelues të PD, që tentonin të mbanin një distancë edhe me ish komunistët. Pas vitit 1996 ai u lidh më fort me të majtën dhe në 20 e ca vjet personalitetet e së djathtës të mbështetur nga Fondacioni janë aq të rrallë sa mund ti numërosh me gisht në raport me mbështetjen që ka pasur e majta. Përfshi këtu mbështetjen personale të Ramës, i cili ishte njohur me Sorosin në vitin 1993 në Budapest në rrethana shumë interesante.

Por pavarësisht të majtës apo të djathtës; pavarësisht shqiptarizimit tipik të tezave të Sorosit; pavarësisht katandisjes së ideve të tij në mbështetje tribale dhe ideologjike, besohej se fondacioni kishte përkrahur jo pak personazhe që kishin përqafuar filozofinë e shoqërisë së hapur dhe të liberalizmit. Pra thënë ndryshe, besohej se pas 26 vitesh kishte krijuar një elitë të formuar sipas ideve të Poperit dhe filozofisë së tij që Fondacioni e mbështeti rregullisht. Fatkeqësisht zhvillimet e fundit treguan që jo vetëm kjo s’ka ndodhur, por tezat dhe filozofia e Sorosit paska qenë një dështim total në Shqipëri.

Për rreth 2 javë Opinion po tenton të organizojë një emision për rolin dhe aktivitetin e Sorosit në Shqipëri. Bëhet fjalë jo për atë administativ, por për filozofinë e tij të shoqërisë së hapur. Për fatin e keq, nëse paneli i kontesteve është krijuar shumë lehtë, ai i mbështetësve të Fondacionit duket i pamundur. Lista e gjatë e intelektualëve dhe personaliteteve të mbështetura prej tij, edhe financiarisht edhe politikisht, është reduktuar në pak, shumë pak emra, aq sa nuk bëjnë dot një panel të plotë për t’u përballur me kontestuesit.

Përtej justifikimeve të gjithë-secilit për të mos qenë në studio, duket qartë që kjo filozofi ka qenë dështim në Shqipëri. Nëse kudo në Evropë ka pasur mbështetës të Sorosit që mbi bazën e parimeve të shoqërisë së hapur janë përballur me kritikat ndaj tij; që kanë debatuar ose shprehur opinione për këtë, në Shqipëri kanë heshtur të gjithë.

Me përjashtim të një shkrimi të Andi Bushatit që kurrë s’ka pasur ndonjë lidhje me Fondacionin, të gjithë kanë heshtur. Ose i janë shmangur debatit. Mungesa e njerëzve që mbrojnë filozofinë për të cilën Soros ka investuar thuajse 150 milion dollarë në Shqipëri është edhe dështimi i gjithë investimit që Soros ka bërë në këtë shoqëri. Ose që me gjasë e ka bërë gabim…

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme