Gati 70 vjet pasi që taktika u zbulua, klubet italiane ende po e kanë të vështirë të largohen nga “catenaccio” (lojë e mbyllur, shumë mbrojtëse).
Juventusi është kritikuar ashpër për lojën defensive gjatë eliminimit befasues nga skuadra e re dhe entuziazmuese e Ajaxit në Ligën e Kampionëve, të martën.
“Në Itali, futbolli është ende defensiv dhe individual, ndërsa në Evropë është e rëndësishme të ofrohet më tepër lojë sulmuese dhe çqasje më kolektive”, ka shkruar ish-seleksionuesi i Italisë, Arrigo Sacchi në një editorial të publikuar nga “Gazzetta dello Sport” të enjten, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.
Në të dy ndeshjet ndaj Ajaxit, Juventusi u mbështet në Cristiano Ronaldon që të mbajë barrën e shënimit të golave dhe në mbrojtjen për të ndalur sulmuesit kundërshtarë.
Ronaldo shënoi golin e parë në të dy ndeshjet, por një gol befasues i barazimit nga Ajaxi në ndeshjen e kthimit ndryshoi rrjedhën e lojës. Më pas Ajaxi fitoi ndeshjen e kthimit 2:1 dhe triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3:2.
“Individualizmi nuk mjafton”, ka shtuar Sacchi.
Sacchi, fitues i dyfishtë i Kupës Evropiane si trajner i Milanit, ka shtuar se mbrojtësit jo gjithmonë duhet të jenë në numër më të madh se sulmuesit kundërshtarë dhe se Juventusit i është dashur një qasje më e guximshme dhe më optimiste ndaj Ajaxit.