Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk u bën kontrolle të sigurisë punëtorëve të saj gjatë hyrje-daljeve në institucionin, i cili do të duhej të ishte garantues edhe i sigurisë kombëtare. I dyshuari për vrasjen e kolegut të tij, punëtori i sigurimit të AKI-së, Valon Ibërdemaj, ka hyrë në këtë objekt me armë pa leje gati çdo ditë të punës, shkruan sot Koha Ditore.
Një gjë të tillë ua ka thënë vetë edhe hetuesve. Askush në AKI nuk e ka kontrolluar Ibërdemajn se çfarë po fuste brenda.
Ibërdemaj kishte pasur probleme të mëdha para pak kohe brenda në AKI. Siç ka mësuar gazeta, ai ka qenë agjent i AKI-së, porse për shkak të një problemi është degraduar në pozitën e sigurimit. Gazeta nuk ka arritur të marrë vesh natyrën e problemit.
Për këtë çështje “Koha Ditore” qe dy ditë radhazi i ka drejtuar pyetje AKI-së, por ata nuk janë përgjigjur.
Megjithatë se Ibërdemaj ishte agjent e kanë konfirmuar në Prokurorinë e Shtetit. Koordinatori për media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njëkohësisht edhe zëvendëskryeprokuror i kësaj prokurorie ka deklaruar se e ka këtë informatë.