Trajneri i Llapit, Xhengis Rexhepi, e vlerëson ndeshjen ndaj Prishtinës si ndaj çdo kundërshtari tjetër. Por ecuria e Llapit në këtë edicion do të varet shumë nga rezultati i takimit me Prishtinën, që zhvillohet të shtunën (sot, 13:30) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Është kjo kryendeshja e javës së 20-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Llapi ka pretendime për të fituar titullin, por pas disfatës javën e kaluar nga Feronikeli në Drenas, ka mbetur një hap prapa. Nëse lëshon pikë edhe ndaj Prishtinës, diferenca në pikë me dy skuadrat lidere do të rritej goxha shumë. Aktualisht Llapi është i treti me 38 pikë. Prishtina renditet e dyta me 43 pikë, ndërsa Feronikeli është lider me 45 pikë, shkruan sot Koha Ditore.
Me Feronikelin që nuk pritet të ketë telashe për të fituar tri pikët në përballje me KEK-un, pesha e derbit të xhiros rritet edhe më shumë.
“Gjithmonë Llapi në çdo ndeshje futet për të fituar. Nuk na intereson se me kë ndeshemmi, thjeshtë në çdo ndeshje dalim në fushë për të dhënë maksimumin”, ka thënë Rexhepi të premten, kur u luajtën tri takimet e para të javës së 20-të.
“Për secilën ndeshje përgatitemi në mënyrën më të mirë. Edhe pse ndeshemi me Prishtinën, e dimë se çdo gjë varet nga ne e jo nga Prishtina. Synimi i Llapit në secilën ndeshje është të japë maksimumin, të bëjë lojë të mirë dhe të fitojë tri pikë. Pres përkrahje të madhe nga të gjithë qytetarët e Podujevës dhe nga tifo-grupi ‘Legjendat’”, ka shtuar trajneri i ekipit llapjan.
Llapi në hapje të stinorit pranveror fitoi 3:0 në udhëtim ndaj KEK-ut. Më pas pësoi 2:0 nga Feronikeli.