Komisioni Hetimor Parlamentar sot do të mblidhet sërish në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, për të votuar listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim.
Të premten Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë ka përpiluar listën përfundimtare, në të cilën janë vendosur emrat e dëshmitarëve të cilët do të ftohen për intervistim në këtë komision. Ndonëse e njëjta nuk ka kaluar, duke u shtyrë kështu për një ditë tjetër.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Hajdar Beqa, ka thënë se do të largohen emrat e pamundshëm për t’u intervistuar siç janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Kolë Berisha.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha se gjatë rrugëtimit të hetimeve mund të dërgohen pyetje në Gjykatën Speciale për ish-udhëheqësit e institucioneve të cilët janë në Hagë.
Rexhaj ka shtuar se do të ftohet për intervistim edhe Glauk Konjufca.
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se janë dy lista, njëra me 278 emra dhe tjetra me 287. Sipas tij, kjo nuk do të mundësojë një hetim të arritshëm dhe nuk do t’i përkrah emrat të cilët ftohen vetëm për spektakël.