Rekomandimi i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K, është shtyrë për një seancë tjetër, përshkak të mungesës së ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Partitë opozitare e kanë kundërshtuar një propozim të tillë duke thënë se nga ministritë përkatëse duhet të japin sqarime shtesë.
Fillimisht, prezantimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e ka prezantuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Para deputetëve, ajo ka prezantuar propozim-vendimin e Qeverisë për ta miratuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se kjo kompani me investimet që do t’i bëjë, tejkalojnë buxhetin e zotuar për investime strategjike.
“KOSMONTE FOODS” Sh.P.K, si investitor strategjik do të implementojë projektet si në vijim: Projekti i parë, fabrika për përpunimin e pemëve dhe perimeve, zgjerimi i kapaciteteve për ruajtje dhe prodhim në një sipërfaqe prej afro 7 hektarëve. Në fund të vitit 2025, sipas planit operacional priten që të jenë të zhvilluara një sipërfaqe prej 10 hektarë, ku këto investime kalojnë buxhetin e zotuar për investime strategjike prej 11 milionë euro”, tha ajo.
Por prezantimin e bërë nga ministrja e Arsimit nuk u pëlqye nga opozita. Ata kërkuan që prezantimin e këtij projekti ta bëjë vet ministrja, Rozeta Hajdari.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se kompania “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K, ka qenë e paditur nga Agjencia e Pyjeve, por që Ministria e Bujqësisë e ka tërhequr një padi të tillë.
“Pronën që po e jep Qeveria e Kosovës me investim strategjik është pronë e Agjencisë së Pyjeve, e cila gjendet në Fushë-Kosovë. Kjo pronë ka qenë e shfrytëzuar nga kjo kompani që po pretendon me marrë me investim strategjik, dhe këtu kemi një kontekst gjyqësor. Pra kompani në fjalë ka qenë e paditur nga Agjencia e Pyjeve për mos respektim të kontratës dhe tash informatat që i kemi, Ministria e Bujqësisë është tërhequr nga padia, pra cila është arsyeja që Ministria e Bujqësisë është tërhqur nga padia për shkak të mosrespektimit të kontratës nga kompania “Cosmonte”, synon të marrë këtë pronë”, u shpreh Tahiri.
Padinë nga shteti e ka përmendur edhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.
“Kjo çështje është trajtuar edhe në qeverinë e kaluar por pse ka ngelur kjo çështje në atë kohë ka qenë se kjo kompani ka pasur rast të hapur me shtetin. Agjencia e Pyjeve e ka paditur më 22 mars të vitit 2020, për mosrepsektim të një kontrate që e ka pasur me këtë kompani, dhe unë sot e mora vesh që Ministria e Bujqësisë qenka tërhequr nga kjo padi, dhe kur ne kemi qenë në Qeveri kishte insistim për shkelje të kontratës”, u shpreh Selmanaj.
E shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur papërgjegjësi kabinetin qeveritar për mungesë në këtë seancë ku po kërkohet që t’i jepet statusi e investitorit strategjik një kompanie.
“Kryeministri dhe ministrat mos me ardhë me prezantu një projekt kaq të supozuar kaq i rëndësishëm, është mungesë totale e përgjegjësisë. Me gjithë respektin, nuk mendoj që ministrja e Arsimit mundet të përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve që u shtruan këtu, dhe janë së paku pesë ministra të fushave dhe që janë anëtarë të Komisionit Ndërministror për këtë projekt. Mendoj që do duhej të ishte vet kryeministri dhe ta prezantonte këtë projekt”, u shpreh Gashi.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet, pasi deputetët kërkuan që ministrja Rozeta Hajdari të jetë e pranishme në prezantimin e këtij projekti.