Pas ndërtimit të dy laurave në Bjeshkët e Deçanit, për të cilat në këtë komunë nuk ka pasur kundërshtime, Ministria e Mjedisit ka ndërtuar edhe laurën e nisur në Grykë të Junikut, ndonëse ndërtimi i saj ishte ndërprerë verës për shkak të kundërshtimit të komunitetit dhe komunës.
Por, siç tregon Fatmir Morina, drejtor i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në Pejë, edhe ajo laurë është ndërtuar dhe pritet së shpejti të lëshohet në funksion. “Jemi marrë vesh me komunën dhe komunitetin që me fillua laura atje. Laura në Junik fillon të punojë sa të përfundojë shiu. Ka pas me përfundua këtë javë, por për shkak të motit është shtyrë”, tha Morina, shkruan sot Koha Ditore.
Sfidë për Ministrinë e Mjedisit mbetet ndërtimi i laurës në Grykë të Rugovës, megjithëse kjo ministri insiston që laura do të vendosen edhe në Rugovë, me qëllim të mbrojtjes së resurseve natyrore, ndalimin e prerjes së pyjeve, ndërtimet dhe degradimet e tjera të mundshme. “Për laurën në Rugovë jemi në bisedime, por nuk kemi diçka konkrete. Për sivjet me gjasë nuk do të ketë diçka, por të shohim”, thotë Morina.