Vendpritjet për autobusë në Gjilan nuk janë rregulluar me arsyetimin e Drejtorisë për Shërbime Publike se kjo do të bëhet pas rregullimit të infrastrukturës rrugore.
Komunarët nuk kanë përmendur afatin kohor se kur mund të rregullohen këto stacione. Ndërkaq opozita në këtë komunë vlerëson se qeverisja komunale është duke dëshmuar neglizhencë me mosrregullimin e këtyre stacioneve, shkruan sot Koha Ditore.
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se nuk qëndrojnë arsyetimet e komunarëve se rregullimi i një stacioni për pritjen e udhëtarëve kushtëzohet nga infrastruktura rrugore. Muaj më parë ky subjekt ka nisur një aksion simbolik, ku ka vendosur disa ulëse në vendet ku udhëtarët presin autobusët.
Sipas këtij subjekti, këtë mesazh nuk e kanë kuptuar komunarët. Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Gjilanit, Naser Korça, pohon se deri tani nuk është bërë asnjë përparim në rregullimin e këtyre stacioneve ngase, sipas tij, po kushtëzohet nga projektet e ndërtimit të infrastrukturës rrugore që janë planifikuar të implementohen. “Kurrgjë nuk është bo dhe siç e dini edhe vetë asgjë nuk është bërë tash kur të bëhet zgjerimi i rrugës dhe do të bëjmë edhe ndalet për stacionet për autobusë. Sepse deri tash rrugët e ngushta dhe në bazë të planit urbanistik do të përcaktohet edhe për numrin e tyre”, ka thënë ai.
Ndërkaq drejtori i ndërmarrjes publike “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, Avni Hajrullahu, deklaron se ata nuk kanë për obligim që të investojnë në rregullimin e stacioneve të pritjes për udhëtarët. Deklaron se krejt çfarë ata kanë bërë është se këtë problematikë e kanë paraqitur tek Komuna. Hajrullahu deklaron se për momentin ata do të preken nga zgjerimi i rrugës ngase, sipas tyre, do të tkurret hapësira e tyre, por do të detyrohen që të riorganizohen. “Kemi bërë kërkesat tek komuna dhe ata janë zotuar se do t’i rregullojnë ato. Ato shkojnë me shërbimet publike, sepse jemi përgjegjës vetëm për menaxhimin e brendshëm. Ka pasur kërkesa për rregullimin e këtyre stacioneve të vogla në rrugën e Prishtinës, tek qendra e qytetit dhe një lokacion tjetër. Tash janë duke u zhvilluar këto punimet në zgjerimin e rrugës tek Stacioni i Autobusëve do të shkaktojë pengesa, sepse do të tkurret hapësira, mirëpo do të duhet të bëjmë një riorganizim brenda”, ka thënë Hajrullahu.
E këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nehat Osmanaj, deklaron se ata kanë zhvilluar aksionin duke vendosur një ulëse në qendër të qytetit dhe se mesazhin e tyre e kanë kuptuar publiku, mirëpo jo edhe pushtetarët. “Në një mënyrë aksioni ka qenë vetëm një simbolik që me një mënyrë ka pasur për qëllim tërheqim vëmendjen e publikut, sepse fatkeqësisht mungon zgjidhja për këtë problem. Kemi dashur që të ngremë vetëdijen tek pushteti që të ndërmerr diçka në këtë drejtim, mirëpo siç po e shohin asgjë nuk është bërë dhe arsyetimet e tyre janë boshe. Aksioni që kemi ndërmarrë është si rezultat i shqetësimeve që është shprehur nga qytetarët gjatë kontakteve që kanë pasur me ne”, ka thënë Osmanaj duke përmendur edhe problemet që hasin qytetarët si pasojë e neglizhencës së drejtorisë. “ Edhe njerëzit e moshuar, por edhe të rinjtë dhe moshat e tjera kanë probleme me mosrregullimin e këtyre stacioneve. I kanë 6 vjet në qeverisje dhe po përfundojnë dy mandate dhe presin me këto plane zhvillimore, dhe mandej kemi këto arsyetime që jepen para publikut”, ka thënë ai.