Dështon të mbahet seanca në rastin e shpërthimit të gazit në Pejë, shtyhet sërish

Prishtinë | 21 Nën 2025 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ka dështuar që të mbahet seanca gjyqësore në rastin e shpërthimit të gazit në Pejë, ku një punëtor mbeti i vdekur, e për të cilin akuzohet Vesel Jusaj si person fizik dhe “Delta Group”, e ku ngarkohet me verpën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, raporton Ekonomia Online.

Shkak i mosvazhdimit u bë zëvendësimi i përfaqësuese se “Delta Group”, Vesa Jusaj, e cila kishte deklaruar se nuk kishte mundur të marrë pjesë në seancën e 7 nëntorit për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Nuk kam qenë mirë me shëndet mbrëmë, nuk jam e aftë që të punoj, kam shtatë fëmijë, momentin kam qenë edhe në karrocë, mirëpo tani më shëndet nuk jam mirë, kjo ka qenë edhe…”, ka deklaruar ajo.

Meqenëse u kërkua zëvendësimi seanca është shtyrë për 22 dhjetor në ora 10:00.

Gjykata ka kërkuar nga organi i menaxhimit të personit juridik të paditur Delta Group Sh.P.K. që të përcaktojë përfaqësuesin e autorizuar në një afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të këtij procesverbali.

E nëse nuk e bënë brenda këtij afati atëherë gjykata do të detyrohet ta caktojë njërin nga radhët e anëtarëve të personit juridik.

Në seancën e 3 prillit në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, i akuzuari Vesel Jusaj- drejtor përgjegjës në kompaninë “Delta Group” është deklaruar i pafajshëm për rastin e shpërthimit të gazit në vendin e punës ku vdiq punëtori V.M,. Fajësinë nuk e pranoi as përfaqësuesja e subjektit juridik- Delta Group, Vase Jusaj.

Në këtë rast, Vesel Jusaj si person fizik dhe “Delta Group” si person juridik, akuzohen për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas procesverbalit që kishte siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ermal Demhasaj, i akuzuari Jusaj dhe përfaqësuesja e “Delta Group” u deklaruan të pafajshëm.

 “Nuk jam fajtor për veprat penale të cilat më vihen në barrë”, citohet të ketë deklaruar i akuzuari Vesel Jusaj.

“Në emër të personit juridik Delta Sh.P.K., deklaroj se nuk pranohet fajësia për veprat penale që e ngarkon aktakuza”, citohet se tha përfaqësuesja e kompanisë- Vase Jusaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 janar 2025, Vesel Jusaj akuzohet për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Ai akuzohet se më 11 tetor 2024, në kompaninë “Delta Group”, si drejtor përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk ka siguruar masa të mjaftueshme sigurie, duke shkaktuar shpërthimin e gazit dhe vdekjen e një punëtori. Po ashtu, ai akuzohet se më 14 dhjetor 2022, ka hequr bllombën zyrtare nga rezervuari i gazit, duke shkelur rregullat për sigurinë dhe shitjen e gazit. Për këto vepra penale, akuzohet gjithashtu edhe kompania “Delta Group” si person juridik.

Ndërkohë, më 4 nëntor 2024, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Inspektorati i Punës e kishte gjetur përgjegjës Vesel Jusajn për shpërthimin e cisternës në Pejë, ku si pasojë e kësaj kishte vdekur V.M (44-vjeçar).

Të ngjashme