Që nga ora 18:30 është pritur vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas më shumë se një orë pritjeje, deputetët e pozitës të cilët kanë qëndruar në sallën e kuvendit kanë filluar të largohen, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se sonte nuk do të vazhdojë seanca e Kuvendit e nisur në mëngjes e cila u paralajmërua se do të niste dy-tre herë.
“Besoj që sonte nuk ka kushte për të vazhduar seanca. Shohim prej nesër”, ka thënë Isufi për Klan Kosova.
“Ky është një veprim që s’ka kuptim sepse seanca është dashur të mbahej për atë që është thirrur”.
“Liderët politikë janë në bisedime gjithë ditën, për krijimin e ekipit dhe mundësinë e votimit të saj Kjo do të mbetet në ditët në vazhdim. Detajet nuk i di veç e di që sonte nuk ka kushte për seancë”, ka shtuar ai.
Në fillim të seancës, kryeministri Ramush Haradinaj pati prezantuar para deputetëve ekipin negociator.
Ai kishte bërë të ditur se në krye të këtij delegacioni do të jetë Fatmir Limaj, ndërsa zëvendës i tij do të jetë Enver Hoxhaj.
Pjesë e ekipit, sipas Haradinajt, do të jenë edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli e Dardan Gashi, ndërsa anëtarë do të jenë ministri Mahir Yagcilar dhe Avni Arifi.