Dështon shpallja e gjendjes emergjente të energjisë elektrike

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar sot masat e emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlenin maksimalisht 60 ditë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk kanë kuorum.

“Vetëm 55 deputetë kanë votu”, tha ai.

Votimi u bojkotua nga deputetët e Listës Serbe.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Qeveria do të mund të fillonte me zbatimin e masave menjëherë, porsa vendimi të miratohej nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Kosova po përballet me krizë energjetike. Për pasojë, qytetarët që nga 22 dhjetori po përballën me reduktime të rrymës.

Të ngjashme