Rreth dy vjet pasi ka hyrë në fuqi, ka dështuar zbatimi i vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), që të gjitha institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional të Kosovës t’i nënshtrohen procesit të validimit të kualifikimeve dhe akreditimit institucional brenda periudhës 3-vjeçare.
Vendimi është nxjerrë në vitin 2016 kur ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ishte Arsim Bajrami, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas vendimit, këto institucione duhej t’i nënshtrohen akreditimit për profilet për të cilat ekzistojnë standardet e profesionit të aprovuara në nivel kombëtar.
Akreditimi i këtyre institucioneve duhet të bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) që është institucion i cili vepron në kuadër të MAShT-it.
Ekspertë të kësaj fushe, thonë se vendimi ka dështuar të zbatohet. Si pasojë e kësaj, rrezikohet shkëputja e lidhjes zyrtare të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK).