S.H. kishte arritur të mashtronte Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, konkretisht Departamentin për Familjarët e Dëshmorëve, të Invalidëve të Luftës dhe të Viktimave Civile, Zyra në Pejë, për t’u futur në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)
Ai kishte arritur t’i falsifikojë dokumentacionet që i nevojiteshin për të qenë pjesë e skemës pensionale dhe i veteranëve të luftës, të cilat më pastaj i kishte dorëzuar në Departamentin për Familjarët e Dëshmorëve, të Invalidëve të Luftës dhe të Viktimave Civile në Pejë, në mars të këtij viti.
Megjithatë, mashtrimi i S. H. nuk ka zgjatur shumë, pasi ai brenda 2 muajsh është hetuar dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për dy vepra penale: “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga Neni 398, par. 1 i KPRK-së dhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga Neni 403, par. 1 i KPRK-së.
Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 1 qershor të këtij viti, shkruan Zëri.
Ndryshe, thuajse nëpër të gjitha prokuroritë themelore të Kosovës janë duke u hetuar raste që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve.
Nga ana tjetër, para pak ditësh, një prokuror special, që po hetonte “veteranët e rrejshëm”, ka dhënë dorëheqje. Më pas, i njëjti ka shpërthyer në akuza përmes Facebook-ut, ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Pas dorëheqjes së Elez Blakajt, lënda e veteranëve të rrejshëm të cilën ai nuk e çoi deri në fund, iu dha një prokurori tjetër special, shkruan Gazeta Express.
Elez Blakaj pretendon se ka ngritur një aktakuzë për veteranët e rrejshëm, por që ajo kurrë nuk u dërgua nga ai në gjykatë. E njëjta rrodhi vetëm në media.