KRU “Hidrodrini” reagon pas ngritjes së aktakuzave ndaj dy zyrtarëve të saj

Prishtinë | 07 Shk 2022 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

KRU “Hidrodrini” reagoi pasi siç tha mësoi nga mediat se Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kësaj kompanie, gjegjësisht drejtorit të Departamentit Teknik dhe kimistes së kompanisë, mbi dyshimet për rastin Deçani, të vitit të kaluar.

KRU “Hidrodrini” thotë se që nga momenti i parë i shfaqjes së kësaj problematike, më 11 korrik të vitit të kaluar, krahas veprimeve urgjente mbi ndërmarrjen e masave përkatëse profesionale, ka inkurajuar të gjithë akterët relevantë, organet e rendit, ligjit dhe drejtësisë që të punojnë në zbardhjen e të vërtetës.

Në këtë kuadër, KRU ‘Hidrodrini’, shprehet se ka qenë bashkëpunues edhe me organet e prokurorisë e madje edhe duke ftuar publikisht në zbardhjen e rastit.

“Edhe në shembullin e sotëm, mbi pretendimet e Prokurorisë, KRU ‘Hidrodrini’ zotohet për transparencë me të gjitha organet e hetuesisë dhe me opinionin deri në zbardhjen e së vërtetës së shkakut për rastin në fjalë. Aktakuzat e ngritura sot, deri në verdiktin final të gjykatës përkatëse, mbeten vetëm pretendime. Andaj, me këtë rast, lusim mediat, opinionin dhe të gjithë akterët e përfshirë, për korrektësi e mirëkuptim, kjo duke qenë të bindur thellë se vetëm kështu i ndihmojmë të vërtetës. Po ashtu, cilësimet dhe deklaratat nga politika, mbi çështjen, mendojmë se nuk janë në shërbim të zbardhjes së vet rastit”, përfundon reagimi i KRU “Hidrodrini”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme