57-vjeçari Teodor Lera mbyti bashkëshorten e tij, Eva Lera pas një debati të ashpër me të. Ai e ka qëlluar këtë të fundit një herë me thikë dhe më pas i ka marrë frymën, duke e mbytur me duar.
Dyshohet se Lera ishte tepër xheloz për bashkëshorten.
Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit në lagjen “Kushtrimi”, vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë, rreth orës 12:10. Pas mbytjes së gruas, Teodor Lera ka tentuar më pas të kryejë vetëvrasje. 57- vjeçari mësohet se ka prerë damarët në duar dhe këmbë.
Çifti prej kohësh kishte një marrëdhënie të tensionuar, pasi Teodori në disa raste kishte shfaqur sjellje të dhunshme. Madje, vetëm disa muaj më parë, babai i tre fëmijëve është ndaluar nga Policia për dhunë në familje. Ishte pikërisht Eva Lera që e denoncoi, pas një goditjeje me send të fortë në kokë.
Por, denoncimi i saj u tërhoq më pas, duke pranuar që të ribashkohej me bashkëshortin me qëllim për të mbajtur familjen e bashkuar për hir të fëmijëve. Ndërsa konflikti i ditës së mërkurë përfundoi në mënyrë tragjike. Skena e krimit makabër ka ndodhur në një apartament në katin e parë në lagjen “Kushtrimi”, gjatë drekës.
Teodor Lera, pas një konflikti verbal me 45-vjeçaren, ka marrë një thikë nga kuzhina duke e qëlluar vetëm një herë. Më pas nga të bërtitura dhe tentativa e Eva Lerës për t’u larguar, e ka kapur atë për fyti duke e mbytur. Në kushtet e një tronditjeje të thellë psikologjike, 57- vjeçari me thikën ka tentuar të vrasë veten, duke prerë damarët e gjymtyrëve.
Ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku mjekët bëjnë të ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila ndodhet vetëm 50 metra larg banesës, është njoftuar nga vajza e vogël e çiftit, e cila në ato momente sapo ishte kthyer nga Tirana, ku studion. Veç saj, çifti Lera ka dhe dy fëmijë të tjerë, të cilët jetojnë jashtë vendit, vajza e madhe në SHBA dhe djali në Angli.
Vajza e vogël ka përjetuar tronditje të thellë, pasi ka përjetuar nga afër konfliktin e prindërve që përfundoi me vrasjen e nënës së saj. E vënë në dijeni për acarimin e marrëdhënies së tyre, ajo kishte vendosur që të udhëtonte nga Tirana për në qytetin bregdetar për të qetësuar gjakrat mes tyre, shkruan gazeta Panorama.
Por, pa mbërritur ende në banesë, ajo ka parë skenën, ku nëna e saj ishte e shtrirë pa jetë, ndërsa babai ishte i mbuluar në gjak. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes që çuan në vrasjen e 45-vjeçares, Eva Lera.