Polici i rënë në detyrë dje në Istog , Izet Demaj do të varroset nesër në ora 14:00 në varrezat e fshatit Vrellë të Komunës së Istogut.
Ceremonia e varrimit do të bëhet sipas protokollit të policisë së Kosovës.
Për ndër të kontributit të këtij heroi të ligjit, nesër flamuri do të ulet në gjysmë-shtizë.
Demaj i cili humbi jetën në moshën 42 vjeç, ishte bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga 8 janari i vitit 2001.
Ai po ashtu ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Izet Demaj është vrarë dje gjatë një grabitjeje të armatosur në Istog. Ai në përpjekje për t’i arrestuar hajdutët, në mbrojtje të qytetarëve dhe të të punësuarve që u morën peng në një filiale të bankës NLB në Istog, pas plagëve nga armë zjarri vdiq Izet Demaj, polic i Policisë së Kosovës me ç’rast u vra edhe grabitësi i bankës.