Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka dhënë detaje shtesë për “përleshjen” ndërmjet kryetarëve të komunave në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Sipas tij, arsyeja e ndërprerjes ishte tensionimi i situatës ndërmjet disa kryetarëve të komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje me ata të Partisë Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ibrahimi ka thënë se kryetari Aliu është përpjekur ta qetësojë situatën e krijuar nga udhëheqësit e komunave por që sipas tij ka qenë e pamundur. Në një moment, siç tregon Ibrahimi
“Gjatë këtyre viteve kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme në mënyrë që të gjitha komunat ku shumica është komuniteti serb në Republikën e Kosovës, të integrohet në AKK-së dhe synimi jonë ka qenë me inkuadrimin e tyre në AKK-së, mos të mendohet për anëtarësimin në një mekanizëm tjetër. Pasi që e kemi vendimin në Kuvend, kryetari Agim Aliu ka dhënë sqarime sa i përket kësaj çështje dhe theksoi formulën se si është kompozimi i bordit të AKK-së. Dhe pas sqarimit delegatët menduan që është sqarim i plotë, dhe se ne nuk mund ta ndryshojmë formulën dhe nuk mund të jemi një mekanizëm përjashtues ndaj anëtarësisë së bordit të AKK-së”, ka potencuar Ibrahimi.
Një kërkesë e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi që kryetari i Parteshit të zëvendësohet me njërin nga kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje, për Ibrahimin “është temë e mbyllur”.
“Kërkesa e dytë ka qenë se Kuvendi atë ditë do të marrë vendim për anëtarësim të tri komunave të pjesës veriore edhe për këtë ka dhënë sqarime, këto tri komuna paguajnë dhe anëtarësi në AKK-së, dhe për këtë arsye nuk nevojë të marrim edhe një vendim. Ne kemi të gjitha faktet dhe argumentet që tregojnë që kryetarët e komunave të pjesës veriore janë anëtare sepse paguajnë anëtarësi. Dy kryetarët e komunave pas Kuvendit kanë dalë me deklarata publike ku ata kanë thënë se ne jemi pjesë e AKK-së dhe për neve si konkluzion, AKK-ja mendon që këto dy tema janë të mbyllura”, ka thënë Ibrahimi.
“Kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë nëpër media dhe kanë adresuar disa çështje të cilat nuk janë të qëndrueshme, ata kanë diskutuar për Raportin Auditimit të AKK-së, sipas përqindje të tjera mirëpo fakte tregojnë që janë nga ana jonë”, shtoi ai.