Detaje të reja për rastin “Kobra”: Të shtënat me armë nisën brenda lokalit

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e së martës në Prizren, pas një përleshje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë.

I dyshuari kryesor për këtë rast është pronari i lokalit, Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “King Kobra”. Ky i fundit dhe pesë persona të tjerë janë arrestuar nga Policia dhe janë në mbajtje 48 orë.

Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se rasti po hetohet si “vrasje e rëndë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Prizren 03.01.2023-04:00. Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, njofton Policia.

Tutje bëhet e ditur se rasti po hetohet në koordinim me autoritetet e Shqipërisë, raporton Paparaci.

“Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, njofton tutje Policia.

Të ngjashme