11-vjeçari nga Shtimja që mbajt i kidnapuar për disa orë është mirë.
Atij po i bëhen të gjitha ekzaminimet mjekësore për të vërtetuar se ai realisht është mirë.
11-vjeçari është duke i kryer të gjitha kontrollet e nevojshme.
Agim Gashi zëdhënës për rajonin e Ferizajt thotë se 11-vjeçari i cili iku nga kidnapuesit e që më pas është paraqitur vet në polici, tashmë ndodhet në duar të sigurta.
“Të gjitha masat e nevojshme janë marrë”.
Sipas Gashit për shkak se fëmija është i mitur, policisë i duhet kohë për ta hetuar këtë rast.
“Fëmijës tashmë po i bëhen të gjitha kontrollet tek psikologu për fëmijë”, ka thënë shkurt Gashi për Express.
Sipas tij gjithçka që thuhet më shumë për këtë rast, mund të pengojë në hetimet që tashmë policia i ka filluar.
“Më 9.4.2018 rreth orës 00:15 minuta, viktima është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj. Viktima është në gjendje të mirë shëndetësore dhe sipas deklaratës së tij, ai kishte arritur që të dalë nga automjeti i të dyshuarve dhe është paraqitur në polici”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetuesit policorë janë duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e rastit.
Ndryshe, mbrëmë kidnapuesit e 11-vjeçarit familjes Tafa i kërkonin 50 mijë euro.
Motivet e rastit ende nuk dihen, por vetëm që babai i djalit kishte pranuar një mesazh në telefon, ku i kërkohej që t’i grumbullojë 50 mijë euro si kusht për lirimin fëmijës.