Kompania “Detecon”, degë e Deutche Telekom, është përzgjedhur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim.
Ky projekt pritet që të zgjasë rreth 5 muaj dhe më pas do të hapet faza tenderuese për privatizimin e 51 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në pronësi të Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.
Për këtë një ekip nga kompania “Detecon International GmbH” gjatë qëndrimit në Kosovë janë takuar me aktorë që ndërlidhen më këtë ndërmarrje të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Gjatë takimit që kanë zhvilluar me ministrin në largim të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ata kanë biseduar për gjendjen në ndërmarrjen publike në Telekom. Sipas njoftimit të MZHE-së, në takim është diskutuar për hapat që do të ndërmerren në të ardhmen, planin e projektit dhe po ashtu është diskutuar edhe për vendet që kanë pasur privatizim të suksesshëm, të cilat mund të merren si model sa i përket privatizimit të Telekomit.
Përgatitja e Telekomit për privatizim do të bëhet me financim të BERZH-it.