Detyrimi financiar i Malit të Zi kundrejt NATO-s në formë të anëtarësisë të cilën shteti do të duhet ta paguaj çdo vit është rreth 450 mijë euro.
Ekipi për komunikim në kuadër të Këshillit për Anëtarësim në NATO, publikoi të dielën se shpeshherë plasohen informacione të pasakta se NATO kërkon dy për qind nga Prodhimi Bruto Vendor (PBV) për të shtuar se shuma të cilën do të duhet ta paguaj vendi është 450 mijë euro në vit.
Në samitin e NATO-s më 25 maj, Mali i Zi do të pranohet në aleancën veri-atlantike, ku do të bëhet shteti i 29-të anëtarë i saj.
“Shpeshherë publikohen informacione të rreme se NATO kërkon 2 për qind të PBV-së për anëtarësim. Kjo është krejtësisht e gabuar, sepse ka dy lloje të shpenzimeve, një është anëtarësimi të cilin e paguajnë të gjithë dhe e njëjta për Malin e Zi kap shumën prej 450.000 euro, ose 0,027 për qind të buxhetit të përbashkët vjetor të NATO-s. Grupi i dytë i shpenzimeve janë kostot e sistemit të mbrojtjes së brendshme të Malit të Zi i cili ka buxhet të mbrojtjes prej rreth 50 milionë euro, për çka 450 mijë euro për anëtarësimin janë absolutisht të pranueshme dhe të arritshme”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Në të sqarohet se nisma e cila kërkon nga shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë 2 për qind të BPV-së për anëtarësim, ka të bëjë ekskluzivisht për mjete për mbrojtjen e vet shteteve anëtare, dhe se kjo në Mal të Zi shpesh përmendet në kontekst të gabuar.