Deutsche Welle: Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, premtoi zhvillim të ekonomisë me rritje buxheti prej 3 miliard eurosh. Në raport me Serbinë, ai tha se do të vendosë reciprocitet të plotë.

Me 66 vota pro asnjë kundër dhe 10 abstenime, Albin Kurti lider i lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës. Albin Kurti do të qeverisë në koalicion me partinë e dytë që doli në zgjedhje Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila në qeverinë Kurti ka gjysmën e përgjegjësive. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, do të ketë 15 ministri dhe partnerët e koalicionit (VV-LDK) kanë ndarë nga gjashtë ministri, ndërsa, tri ministri u takojnë pakicave, dy nga ato serbëve të Kosovës. Qeveria Kurti ka dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes që për një muaj mbajti postin e kryetarit të kuvendit, mori përgjegjësi në qeverinë Kurti, si ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës. Vjosa Osmani, pritet të jetë kryetare e kuvendit të Kosovës nga LDK në bazë të marrëveshjes së koalicionit. Vjosa Osmani, në zgjedhjet e tetorit ishte kandidate për kryeministre nga LDK.

Në prezantimin e një ekspozeje për prioritetet e tij para deputetëve, kryeministri i ri Albin Kurti tha se qeveria e tij do të kujdeset për rend dhe ligj, siguri e paqe. Kurti premtoi se do ta rrisë ekonominë dhe buxheti i Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro, duke luftuar ekonominë informale.

“Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur, e paanshme. Nuk do të ketë as individ as parti më të fuqishme se shteti. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione, do të krijojmë Vetting në drejtësi. Ky proces do të kryhet me partnerët ndërkombëtarë. Do të departizojmë shërbimin e jashtëm, do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për të ndalur emigrimin masiv duhet të rrisim vendet e punës. Do të mbështesim zhvillimin e sipërmarrjeve me fokus të veçantë ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të heqim monopolet dhe evazionin fiskal”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti. Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

“Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë”, tha Kurti. Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha se “në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish- Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjelltë”, duke shtuar se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Partitë politike opozitare e kundërshtuan ekspozenë e kryeministrit Kurti, madje duke e quajtur, siç tha Lideri i PDK-së, ish-kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, “një politikan që ndërron parimet dhe qëndrimet”.

“E vërteta e parë, është se si po ua lemë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar. E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtu mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ti ke protestuar kundër gjithçkaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës”, tha Kadri Veseli.

Partitë opozitare i rikujtuan Kurtit, kundërshtimin e tij të mëhershëm, për pakon Ahtisari, Flamurin e Kosovës dhe përfshirjen e listës Srpska në qeveri, ndonëse kësaj të fundit ia garanton Kushtetuta përfshirjen në qeveri.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, ka 15 ministri. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës në qeverinë Kurti do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Nga pakicat do të drejtohet Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe Ministria për zhvillim Rajonal.

Lista “Srpska”, që ka 10 deputetë në parlament, nuk e votoi qeverinë e Kosovës. Këtë vendim ata e morën pas një takimi që zhvilluan një ditë më parë në Beograd me kryeministren serbe Ana Bernabiq. Megjithatë ky subjekt politik serb bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës dhe qeverisë Kurti, sepse, këtë ua garanton Kushtetuta e Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat, se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri sepse i besojmë vetëm Beogradit. Ne do të marrim pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk e mbështesim qeverinë. Duam ta përmbushim mandatin tonë”, tha Goran Rakiq, kryetar i listës Srpska pas takimit në Beograd.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 6 tetor të vitit të shkuar, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit në korrik të vitit 2019, i cili u ftua nga Gjykata Speciale për krime lufte në cilësinë e të dyshuarit. Nga rezultati i zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK. Pas dymbëdhjetë vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës PDK doli në opozitë. Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurti ka para vetes shumë sfida, ndër më të rëndësishmen dialogun me Serbinë i ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018 pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës. Albin Kurti disa herë ka deklaruar se ai do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme