Jetesa në Kosovë për qytetarët serbë mbetet një koncept i largët dhe shpesh i deformuar, kryesisht për shkak të informacionit që arrin nga mediat në Serbi. Gazetarët dhe analistët e Ballkanit, përfshirë Tijana Uzelac dhe Marija Popoviq nga BIRN, paralajmërojnë se qytetarët serbë nuk kanë një pamje të qartë dhe të saktë të realitetit në Kosovë, për shkak të përhapjes së dezinformatave dhe raportimit njëanshëm.
“Dezinformatat vijnë më së shumti pikërisht nga mediat”, shpjegon Uzelac.
Sipas saj, dikush që jeton në Serbi nuk e ka një pasqyrë të qartë se si është jeta në Kosovë. Burimet kryesore të dezinformimit janë akterët politik, ku në krye të listës është partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), por edhe partitë tjera.
Gazetarja shton se, qytetarët serbë shpesh nuk dinë asgjë për jetën e komuniteteve të ndryshme në Kosovë, përveç nëse kanë kontakt të drejtpërdrejt me njerëzit që jetojnë atje.
“Kjo pasqyrë e tyre shtrembërohet përmes raportimit të mediave, sepse nëse bazohen vetëm në media, ata nuk do të kenë një ide të plotë se si duket jeta e serbëve apo shqiptarëve në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërkomunitare,” thekson ajo.
Marija Popoviq, gjithashtu nga BIRN, vë në dukje se narrativat që promovohen në Serbi shpesh janë të njëanshme dhe krijohen me qëllim politik.
“Fotografia mediatike është e tillë që informatat janë ekskluzivisht të njëanshme, dhe ne nuk e kemi fotografinë e vërtetë. Narrativi që plasohet në Serbi është se serbët kurrë nuk kanë faj për asgjë dhe gjithmonë fajtor është dikush tjetër”, shprehet Popoviq.
Gazetarët në rajon theksojnë nevojën për një edukim më të mirë mediatik dhe për verifikimin e informacionit. Megjithatë, sipas Popoviq, publiku shpesh nuk ka mjetet ose njohuritë për të dalluar mes raportimeve të sakta dhe propagandës politike. “Në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri nuk jemi ende mjaftueshëm të edukuar në aspektin e verifikimit të asaj që dëgjojmë,” shprehet ajo.
Sipas gazetareve serbe nga BIRN, pa një media të pavarur dhe të përgjegjshme, qytetarët serbë do të vazhdojnë të jetojnë në një realitet të shtrembëruar, duke u ndikuar drejtpërdrejt nga interesat politike të partisë në pushtet dhe mediave të saj.