Dhashë dorëheqje ngase kuptova se mund të kontribuoj më shumë “jashtë kafazit dhe TEATRIT POLITIK”

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Letër nga kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi

Drejtuar: Të gjithë kirurgëve të çfarëdo disipline kirurgjike, shkencëtarëve të shkencave bazike
që merren me çështje kirurgjike, specializantëve të të gjitha degëve të kirurgjisë, apo edhe
studentëve të fakultetit të Mjekësisë/Stomatologjisë, dhe të tjerë që punojnë dhe jetojnë në
diasporë.

“Në emër të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ju ftoj për bashkëpunim, anëtarësim, dhe
angazhim në zhvillimin dhe avancimin e kirurgjisë së Kosovës, mbretëreshës së të gjitha
fushave të mjekësisë në botë”. NE e kemi krijuar Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KCS) në fund
të vitit 2018 si organizatë shkencore dhe avokuese, për të udhëhequr avancimin e të gjitha
disiplinave kirurgjike në Kosovë me standardet dhe etikën e praktikës kirurgjike.

Avancimi i të gjitha disiplinave kirurgjike mund të arrihet përmes edukimit të vazhdueshëm dhe
të strukturuar, që fillon në fakultetin e Mjekësisë, përgjatë specializimit që ka nevojë për
ndryshime thelbësore, sub-specializimeve krahas avancimeve teknologjike, si dhe përditësimit
dhe adaptimeve të protokolleve më të reja klinike dhe shkencore.

E gjithë puna a KCS-së është e organizuar përmes Komiteteve të ndryshme, nga kirurgët që
kanë interesim dhe aftësi klinike të posaçme. Ndërsa, e tërë puna jonë është e planifikuar në
mënyrë që të rrisim qasjen kirurgjike për të gjithë pacientët, për të reduktuar komplikimet duke
përmirësuar rezultatet, e njëkohësisht për të ulur koston e kujdesit për të gjithë.

Tash KCS ka fituar rëndësi në Kirurgjinë botërore. Vitin e kaluar për herë të parë KCS mori pjesë
në mënyrë të barabartë me shtetet tjera në Kongresin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve.

Ishte nderi im më i madh të përfaqësoj KCS-në në këtë familje të madhe ndërkombëtare të
kirurgjisë. Ne do të jemi në këtë Kongres Klinik për çdo vit, i cili është më i madhi në botë.
Ndonëse jemi Kolegji më i ri në botë, këtë vit do ta festojmë 5 vjetorin e krijimit tonë. Kësisoj,
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka organizuar dy Kongrese Klinike shumë të suksesshme, në vitin
2021 dhe 2022, dhe tani për këtë vit jemi në proces të përgatitjeve për organizimin e Kongresit
të Tretë Klinik, i cili do të mbahet më 12-15 Tetor, 2023.

Ky Kongres, si edhe të tjerët, do të jetë multi-disiplinar me pjesëmarrje masive të kirurgëve të
Kosovës dhe diasporës, si dhe ligjërues më eminent ndërkombëtar, kirurgë më eminent të
botës, që tash janë anëtarë nderi të KCS, dhe të tjerë të cilët kanë ardhur me vetëfinancim në
dy kongreset tona.

Ndërkaq, vlen të theksohet se KCS ka filluar ta ribotojë revistën e vetme shkencore në fushat e
shëndetësisë, Kosova Journal of Surgery. Për të mbajtur të informuar sa më mirë anëtarësinë
KCS-së kemi filluar me botimin e Buletinit të KCS-së, i cili nga ky vit do të botohet tre ose më
shumë herë në vit.

Unë e di shumë mirë se si JU të gjithë ndiheni, sepse punoni dhe jetoni atje ku jeni, por me
mendje gjithmonë jeni në Kosovë. Bëni dy jetë, por shumë me rëndësi është të merrni pjesë në secilin aktivitet të KCS-së, në Kongres, dhe në të gjitha Komitetet e Kolegjit, duke sjellë njëkohësisht miq dhe mentorë tuaj. Ju mund ta mbështetni një ligjëratë në emër te profesorëve tanë të nderuar, te cilat i kemi identifikuar ashtu që kurrë mos t’i harrojmë mësuesit dhe pionierët e kirurgjisë kosovare, mund ta mbështetni një pjesë të Kongresit, mund ta shpërndani përkushtimin tonë për ta ndërtuar kirurgjinë moderne kosovare.

Bëhuni anëtarë i rregullt i KCS-së, dhe me mburrje shtoni shkronjën FKCS pas emrit tënd, Fellow
of Kosova College of Surgeon, sikurse që unë e bëj në çdo nënshkrim timin. Ejani në Kongresin
Klinik te Kolegjit të Kirurgëve të Amerikës dhe shikoni flamurin e Kosovës në familjen e gjithë
atyre shteteve që bëjnë kirurgjinë botërore. E di se ju e doni shumë Kosovën, prandaj tash
neve na duhet shkencërisht dhe praktikisht ta shprehim këtë. Kosova ka shumë nevojë për
kontributin tuaj, për disiplinën dhe etikën e punës që keni krijuar jashtë Kosovës, për etikën
kirurgjike dhe mjekësore dhe për përgatitjen tuaj shkencore.

Ejani e bëhuni pjesë e simpoziumeve shkencore, ligjëratave dhe transformimit të Kirurgjisë së
Kosovës, bëhuni pjesë e ndërtimit të 8 Qendrave Kirurgjike Klinike të Ekselencës në Kosovë, nga
ato 12 sosh sa kemi premtuar se do t’i bëjmë.

Ndihmoni në një ose më shumë nga 22 sub-specializimet që kemi planifikuar vitin e kaluar. Ejani
dhe vendoseni një gurë në themelin e Qendrës dhe Institutit Bio-Mjekësor dhe Qendrës për
Kërkime Shkencore dhe Simulimit, e po ashtu edhe të Qendrave tjera të Ekselencës. “Nëse NE
kirurgët e bëjmë punën tonë dhe e vendosim kirurgjinë në piedestalin më të lartë, mjekët dhe
profesionistët tjerë shëndetësor të Kosovës të shpërndarë në gjithë botën do të na
bashkohen gjithsesi”.

Sikurse të gjithë ju në botë, pra jashtë Kosovës, edhe unë tash e më shumë se 30 vjet kam
jetuar dy jetë, atë profesionale në SHBA, përderisa gjithmonë në mendje kam qenë dhe jam në
Kosovë. Në nëntor të vitit 2021 ndërpreva të gjitha gjërat që kisha ndërtuar me vite në SHBA, si
Kryeshef dhe Drejtor i Kirurgjisë në gjithë rrjetin e 10 spitaleve në Westchester, New York, dhe
me vullnet e dëshirë shumë të madhe pranova ftesën t’i shërbej vendit dhe qytetarëve të
Kosovës. Kjo pjesë e jetës sime do të jetë një nga më të ndriturat dhe më të rëndësishmet e
jetës sime akademike, kombëtare dhe njerëzore. Më pak se një vit më vonë, me shumë
dhembje dhe zhgënjim të pa imagjinuar dhashë dorëheqje, ngase kuptova qartë se unë mund
të kontribuoj shumë më tepër “jashtë kafazit dhe TEATRIT POLITIK”.

E di se për shumë nga JU dorëheqja ime nga posti Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së
Kosovës ka pasur ndikim jo të mirë, dhe ka qenë “një dush i ftohtë”, në shpresat e shumicës, që
menduan se më në fund do ta transformojmë dhe rivalizojmë shëndetësinë e Kosovës.
Edhe pse dhashë dorëheqje nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, UNË dhashë premtimin dhe
do e mbaj deri në fund, se nuk do të ndalem asnjëherë së ndihmuari Kosovën.

Nuk kam dhënë dorëheqje për të ndaluar së ndihmuari Kosovën, në asnjë mënyrë, bashkë të
gjithë do të vazhdojmë, andaj apeloj të JU, te të gjithë, ta bëni të njëjtën, “BASHKË TA

NDIHMOJMË KOSOVËN”, në mënyra të ndryshme, por efektive. Ne, më së paku kemi
komoditetin-rehatinë që të shkojmë ngadalë në zhvillimin e shëndetësisë. Kjo do thotë se Ne
nuk kemi kohë për të humbur me ata që as nuk dinë as nuk donë ta zhvillojnë shëndetësinë e
Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë me “neokolonialistët mjekësor”, që kanë
lëshuar rrënjë në forma të ndryshme në Kosovë, tash më shumë se dy dekada. Për ta ndërtuar
shtetin tonë duhet të kemi shëndetësi moderne, pa shëndetësi moderne nuk kemi liri të plotë
dhe nuk kemi shtet funksional.

Për të arritur barazi profesionale kirurgjike, me kirurgjinë botërore, NE të gjithë bashkë, duhet
të punojmë shumë më tepër dhe ta “duam vendin dhe kombin tonë shumë më shumë se që
po e duam sot”. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të sillemi më përgjegjësi të madhe secili
prej nesh, por gjithashtu, do të kërkojmë përgjegjësi nga secili. Dorëheqja ime ishte kërkesë e
përgjegjësisë për secilin prej nesh. Nuk ishte dorëzim-përkundrazi, ishte dhe është drejtë
realizimit të qëllimeve tona.

(Autori është kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ish-ministër i Shëndetësisë)

Të ngjashme