Tre muaj të stinorit kanë shkuar, ndërsa një numër i lojtarëve kanë impresionuar në skenën evropiane, si në kampionate vendore ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Ka edhe befasi, janë dy pikë që i ndajnë pesë skuadrat e para në La Liga, ndërsa në Bundesligë është duke kryesuar një skuadër tjetër e jo Bayern Muencheni apo Borussia Dortmundi, e Ajaxi ia ka dalë sërish të përballojë largimet e mëdha në verë duke impresionuar, shkruan sot Koha Ditore.
Por, cilët lojtarë veçanërisht kanë shkëlqyer?
Ciro Immobile – Lazio
Reprezentuesi i Italisë është golashënuesi më i mirë në Serie A pas 12 ndeshjeve dhe madje dukshëm. Immobile ka shënuar 14 herë, që i bie nga një gol çdo 67 minuta dhe është pesë para rivalit më të afërm, Romelu Lukakut të Interit, që ka nëntë gola.
Në fakt, në ndeshjen e fundit në të cilën 29-vjeçari nuk kishte shënuar ishte më 25 shtator kundër Interit. Që nga atëherë ai ka një seri prej shtatë ndeshjeve, ku ka shënuar së paku një gol.
Pa dyshim sulmuesi i shquar i Italisë së kualifikuar tashmë për Evropianin e verës së ardhshme është një lojtar që kishte pasur vështirësi të gjente veten te Dortmundi, por ka gjetur veten te Lazio dhe forca e tij para portës ka udhëhequr Lazion drejt vendit të tretë në tabelë.
Erling Braut Haaland – Red Bull Salzburg
I biri 19-vjeçar i ish-lojtarit të Premier Leagues, Alf-Inge Haaland, pa dyshim se është yll në shpërthim këtë stinor.
Ndonëse luan në Bundesligën e Austrisë, ishte në Ligën e Kampionëve ku vodhi spektaklin, duke shënuar tre gola në ndeshjen e parë të Salzburgut, në grup ndaj Genkut, në fitoren 6:2, ndërsa u bë lojtari i tretë më i ri që shënoi “hat-trick” në garën elitare të Evropës.
Reprezentuesi i Norvegjisë, që së pari bëri bujë në maj duke shënuar nëntë gola në një ndeshje në Botërorin U-20 kundër Hondurasit, po ashtu shënoi në “Anfield” ndaj Liverpoolit muajin e kaluar në humbjen 4:3 dhe ai mund të ndërrojë mjedis verën e ardhshme apo edhe në afatin kalimtar të janarit. Ai në 18 ndeshje këtë stinor ka shënuar 26 gola dhe ka asistuar gjashtë të tjerë.
Federico Valverde – Real Madrid
I transferuar në moshën 18-vjeçare nga klubi uruguaian Penarol, Federico Valverde, ka arritur të ngrihet nga skuadra e dytë e Real Madridit dhe të zë vendin në përbërjen startuese të skuadrës së parë të Realit të drejtuar nga Zinedine Zidane.