Zyra
e UNICEF-it në Kosovë në partneritet me CSR thirri një takim me ndërmarrjet përgjegjëse
që i përfshinë dhjetë kompani nga sektori privat dhe publik, për t’u bashkuar për
avokim për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve, për të siguruar përmbushjen
e nevojave të tyre themelore dhe për t’i zgjeruar mundësitë për ta arritur
potencialin e tyre të plotë në jetë.
Edhepse fëmijët nuk janë
fytyra e kësaj pandemie, duke qenë mjaft të kursyer nga efektet e drejtpërdrejta
klinike të COVID-19, kriza ka një ndikim të thellë në jetën
dhe mirëqenien e tyre, e cila ndikohet nga:
- Ndarja apo vdekja në familjet e tyre mund
të shkaktojë që fëmijët të përjetojnë ndarje dhe vuajtje traumatike për shkak të
natyrës së papritur të vdekjes të shkaktuar nga COVID-19. Deri më tani, 102
persona kanë vdekur dhe 4,931 janë infektuar me COVID-19 në Kosovë. Është e
pashmangshme që infektimi dhe vdekja e anëtarëve të familjes apo kujdestarëve për
shkak të COVID-19 mund t’i prekë fëmijët të cilën mund të mbesin pa kujdes
prindëror apo të përjetojnë shqetësime traumatike me ndikim në mirëqenien dhe
zhvillimin e tyre.
- Ndërprerja e shërbimeve
shëndetësore mund të ndikojë konsiderueshëm në mbijetesën e fëmijëve, duke
parashikuar një rritje të mundshme të vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve që
mund të ndodhë për shkak të qasjes së zvogëluar në shërbime esenciale shëndetësore.
Sistemi i ngarkuar shëndetësor ndikon në monitorimin e rregullt të zhvillimit të
fëmijëve dhe në kërkesat për kujdes për ndërhyrje parandaluese për sëmundje dhe
lëndime akute. Efektet e ndërprerjes së shërbimeve shtrihen deri tek gratë
shtatzëna që nuk mund të marrin kujdesin para lindjes dhe mungesa e shërbimeve
për t’i mbështetur nënat dhe fëmijët që vuajnë nga shkallët në rritje të dhunës
në familje.
- Mbyllja e shkollave ka prekur rreth 350,000 fëmijë
dhe adoleshentë në Kosovë. Boshllëku i të mësuarit është përkeqësuar në mesin e
fëmijëve nga ekonomitë familjare më të pasura që kanë pasur mundësi ta
vazhdojnë mësimin nga distanca përmes mjeteve digjitale dhe atyre nga ekonomi
familjare më të varfëra që kanë mbetur pas. Përkundër veprimeve të shpejta me
të mësuarit në distancë, dëshmitë tregojnë se humbjet në mësim për Kosovën do
të jenë të pashmangshme dhe të konsiderueshme, ku një pjesë më e madhe e
nxënësve do të bien në analfabetizëm funksional dhe shkalla e braktisjes së
shkollës do të rritet.
- Mungesa e lojës,
socializimit dhe ndërveprimit me bashkëmoshatarët mund të ndikojë
konsiderueshëm në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Shumë
fëmijë vazhdojnë të mos kenë mundësi të luajnë apo të socializohen për shkak të
izolimit dhe mbylljes së shkollave. Adoleshentët në veçanti mund të vuajnë nga ndalesa e
ndërveprimit social përderisa ekspozimi i tyre i tepërt ndaj mediave masive dhe
sociale mund ta rrisë edhe më shumë rrezikun e shfrytëzimit dhe ngacmimit të
tyre.
Art House, Flexograf, KIVO, KOSTT, Meridian, Procredit
Bank, Raiffesien Bank, Sharrcem, Ujë Rugove bashkojnë forcat me Zyrën e
UNICEF-it në Kosovë dhe CSR për fushatën parandaluese #back2school (#kthiminëshkollë)
për COVID-19 dhe për të avokuar që fëmijët, duke përfshirë fëmijët me aftësi të
kufizuara, të vihen në qendër të planeve të reagimit dhe rimëkëmbjes nga
COVID-19 në Kosovë. Mbështetja do të përqendrohet drejt mbështetjes së fëmijëve
me mjete mbrojtëse dhe teknologji ndihmëse.