Era e rëndë e plehrave të fshatit Rreth Tapi në Urën Vajgurore në Shqipëri i prek të gjithë banorët e tij. Dhjetëra banorë të këtij fshati me 2 500 banorë, kërkojnë largimin e vendgrumbullimit të mbetjeve nga fusha pranë lumit Devoll, ku ata kanë banesat.
Sipas tyre, ndotja dhe kundërmimi në këtë zonë ku derdhen mbeturinat e Bashkisë Kuçovë dhe Urës Vajgurore po i helmon ata çdo ditë.
Banorët e fshatit Rreth-Tapi në Urën Vajgurore kërkojnë largimin e vendgrumbullimit të mbetjeve nga zona ku ata banojnë.
Banorët thonë se prej vitesh, makina me mbetjet e Bashkisë së Kuçovës dhe së fundmi edhe të Urës Vajgurore i derdhin pranë lumit Devoll, afër zonës së banuar dhe askush nuk ka ndërhyrë.
Sipas tyre, gjendja është alarmante.
“Është zonë e banuar, kanë qenë tokat e fshatit Rreth-Tapi. Pastaj i mori në administrim Pyjorja. Këtu ka rreth 10 vjet që hidhen plehrat e Kuçovës dhe gjendja kjo është, siç e shihni dhe vetë. Është shumë mjerane, në mbeturina ushqehen kafshë, mbeturinat kur bie shi bien në lumë”, shprehet një banor.
“Ka 10 vjet që e vuajmë, ky nuk mund të quhet landfill kur as nuk përpunon, asgjë. Më e keqja është kur këtu ndizen mbeturinat, nuk mund të jetosh në fermë”, thotë ai.
Tashmë pirgjet e plehrave, që grumbullohen këtu kanë zënë një sipërfaqe të madhe toke.