Dhjetëra gurëthyes në Komunën e Lipjanit kanë zgjeruar aktivitetet duke degraduar ambientin nga eksploatimi i zhavorrit në pjesë të ndryshme të komunës, shkruan sot Koha Ditore.
Shumica prej gurëthyesve janë të vendosur në fshatin Gadime, Smallushë, Sllovi dhe Mirenë. Banorët e këtyre fshatrave përveç degradimit të hapësirave kodrinore, ata po vazhdojnë të përballen edhe me ndotje të ambientit nga gurëthyesit.
Po ashtu, qarkullimi i vazhdueshëm i automjeteve transportuese nëpër lokalitete të ndryshme po i degradon edhe rrugët lokale, ndërkohë ato nuk po riparohen nga askush. Rreth kësaj çështjeje është debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjen e fundit të KK-së, derisa këshilltarët kanë kërkuar nga inspektorati të merren masa për parandalimin e degradimit të ambientit dhe hapësirave publike nga gurthyesit.