Shtatëdhjetë shtete në Kombet e Bashkuara i bën thirrje Koresë së Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore, raketat balistike dhe programet që lidhen me to, duke i quajtur ato si “kërcënim të madh dhe të pakontrolluar” për paqen.
Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, si dhe shtetet nga Azia, Amerika Latine, Afrika dhe Evropa më 10 maj nënshkruan këtë deklaratë, e cila u përpilua nga Franca.
Rusia dhe Kina, dy aleatet kyçe të Koresë së Veriut, nuk e nënshkruan këtë dokument.
Nënshkruesit e dokumentit thanë se “keqësohet kërcënimi për paqe, siguri rajonale dhe ndërkombëtare, nga programet e vazhdueshme bërthamore dhe të raketave balistike”, që Phenjani ka zhvilluar.
Me të paktën dy prova të raketave gjatë javës së kaluar, Phenjani ngriti përsëri shqetësime lidhur me programin e armëve bërthamore.
“Ne inkurajojmë Korenë e Veriut që të shmangë çdo provokim”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
“Ne po ashtu i bëjmë thirrje Koresë së Veriut të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara rreth denuklearizimit”, thuhet në deklaratë.
Pas samitit ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un, Koreja e Veriut ishte zotuar se do t’i japë fund testimit të armëve bërthamore dhe raketave me rreze gjysmë të gjatë veprimi.