Mashtrimet e marketeve ndaj konsumatorëve nuk kanë të ndalur. Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët duhet të paguajnë dyfish për çmimin e një produkti te arka, ndryshe sa u figuronte çmimi i vendosur në raft.
Lulzim Syla, kryeinspektori i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka treguar se vetëm gjatë vitit 2016, Inspektoriati ka shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj qendrave tregtare, shkruan Indeksonline.
Ndërsa mashtrimet më të theksuara shihet të jenë ato tek ndryshimet e çmimeve nga rafti në arkë.
“Inspektorati i tregut i MTI-së ne vitin 2016 ka shqiptuar 56 gjoba. Mashtrimet me te theksuar janë mos përputhje e çmimit në raportin raft arkë”, ka deklaruar për Indeksonline Syla.
Derisa ka inkurajuar konsumatorët që këto shkelje t’i adresojnë në Inpektoriatin e Tregut në MTI, si dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“I ftojmë dhe i inkurajojmë të gjithë konsumatorët, që çdo parregullsi apo dyshim për shkelje të të drejtave të tyre, që ndërlidhen me kompetencat ligjore të Inspektoratit të Tregut të MTI-së, ta adresojnë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë MTI, në nr. e telefonit pa pagesë 0800 11 000”, ka theksuar kryeinspektoriati në MTI.
Ndërkohë një raport i publikuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, bën të ditur se vetëm në inspektoriatin e tregut janë adresuar 43 ankesa.
Për mashtrimet e çmimeve nga rafti në arkë, ka pasur vetëm 10 ankesa.