Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të shtunën një projektligj që parashikon një fond emergjence prej 25 miliardë dollarësh për Shërbimit Postar Amerikan, ndërsa vendi po përgatitet për shifra rekord të votimit nëpërmjet postës për zgjedhjet presidenciale si pasojë e pandemisë COVID-19.
Votimi 257 pro dhe 150 kundër i projektligjit pritet të kthejë në gjendjen e mëparshme situatën e krijuar për shkak të ndryshimeve operacionale në Shërbimin Postar, të cilat kanë ngadalësuar dërgesën e postës në të gjithë vendin.
Më shumë se 24 republikanë votuan pro projektligjit, ndaj të cilit presidenti Donald Trump pritet të vendosë veton nëse miratohet edhe në Senatin e udhëhequr nga republikanët.
Shefi ekzekutiv i Postës Amerikane, Louis DeJoy ka bërë ndryshime të shumta në shërbimin postar që nga marrja e detyrës në muajin qershor.
DeJoy i cili ka dhuruar fonde për fushatën e Trumpit, tha se masat, të cilat përfshijnë heqjen e makinerive që bëjnë përzgjedhjen e postës me shpejtësi të lartë, kutive publike postare si dhe shkurtimin e pagës për orët jashtë orarit, u zbatuan për të ulur kostot e agjencisë, e cila vitet e fundit është përballur me humbje të të ardhurave.
Të premten DeJoy u tha senatorëve se zarfet e votimit do të kishin përparësi në shpërndarje, duke thënë se dërgimi i tyre ishte “detyra e tij e shenjtë”.
Para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve kryetarja Nancy Pelosi u tha gazetarëve në Kongres se zotimi i DeJoy që të rikthjejë disa prej praktikave të hershme të postës duhet parë me skepticizëm.
“Komentet e tij janë një gjë ndërsa veprimet një gjë tjetër”, tha Pelosi.
Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë të premten kritikoi projekt-ligjin e propozuar nga demokratët, duke thënë se është një “reagim i tepërt ndaj raporteve sensacionale të medieve që kanë bërë akuza pa prova se Shërbimi Postar Amerikan ka ndërmarrë reforma për të arritur objektiva politike dhe jo operacionale”.
Në deklaratë thuhet se kjo zyrë do t’i rekomandojë Presidentit Donald Trump të vendosë veton ndaj projektligjit, nëse ai do të miratohet nga të dyja dhomat. Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pritet që ta miratojë projektligjin, një veprim që Pelosi tha se nuk do t’i shërbente interesave politike të republikanëve.
“Ndjenjat e publikut janë gjithçka. Ata do të dëgjojnë nga zgjedhësit e tyre, sepse kjo është një çështje që prek çdo amerikan. Mosmarrja e postës në kohë godet çdo njeri. Të mos marrësh recetën e ilaçeve me postë, e kam fjalën veçanërisht për veteranët tanë, do të thotë të godasësh çdo shtëpi dhe kjo është e dëmshme për vendin tonë”, tha Pelosi.
Trump në mënyrë të përsëritur ka thënë, por pa ofruar prova, se zgjedhjet e nëntorit mund të manipuloheshin për shkak të votave me postë, duke pretenduar se Rusia dhe Kina mund t’i falsifikojnë ato.
“Kjo do të jetë fatkeqësia më e madhe në historinë e zgjedhjeve amerikane”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Presidenti gjithashtu ka thënë se nuk dëshiron të presë “javë, muaj apo vite” për rezultatin e zgjedhjeve për shkak të problemeve që ai parashikon se do të ndodhin me fletëvotimet e hedhura me postë.
“Mos i kushtoni vëmendje asaj që presidenti thotë, pasi qëllimi i tij është që të ndrydhë procesin e votimit”, tha Pelosi.
Javën e kaluar, Trump i kundërshtoi fondet e emergjencës për Shërbimin Postar, fonde që do të lehtësonin votimin me postë. Por megjithatë ai u tha gazetarëve një ditë më vonë se do ta miratonte fondin shtesë për postën nëse demokratët bënin lëshime më të gjera si pjesë e një projektligji më të madh për të ndihmuar ekonominë e goditur nga Coronavirusi. Bisedimet për një projektligj të ri stimulues mes republikanëve dhe demokratëve janë ndërprerë për shkak të dallimeve të forta mes palëve.