Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA e udhëhequr nga demokratët ka votuar të shtunën që t’i jepen 25 miliardë dollarë Shërbimit Postar të SHBA-së si dhe të bllokohen ndryshimet në rregulla të cilat kanë ngjallur brenga për pengimin e votimit me anë të postës në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Ky votim nga Dhoma e Përfaqësuesve iu dërgua Senatit i cili kontrollohet nga republikanët, por udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConell tha në një deklaratë se Senati “në asnjë mënyrë” nuk do të aprovojë këtë ligj.
Edhe Shtëpia e Bardhë fuqishëm kundërshton këtë ligj dhe ka thënë se ka rekomanduar Presidentin Trump që të vendosë veton në këtë ligj, shkruan Reuters.
Mirëpo më shumë se 20 republikanë, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, iu bashkëngjitën këtij ligji së bashku me demokratët, në një takim të rrallë të thirrur nga kryetarja Nancy Pelosi.
Për shkak të pandemisë, pritet që votimet me postë të jenë në numër më të madh këtë vit, por Trump ka alarmuar demokratët duke denoncuar vazhdimisht votimin me postë si burim të mundshëm të mashtrimeve. Drejtori i Shërbimit Postar i cili është pro Trump, javët që shkuan ka pezulluar masat e zvogëlimit të shpenzimeve postare, gjë që ka shkaktuar ngadalësimin e dërgesave.
Në fakt, ky ligj i Dhomës së Përfaqësuesve do të parandalojë kreun ë Shërbimit Postar që të merr çfarëdo vendime të cilat do të ngadalësonin shërbimin postar deri në janarin e ardhshëm.