Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar lidhur me episodet e fundit që pasuan publikimin e karikaturave të profetit Muhamed, duke thënë se e kupton zemërimin, por dhunën e cilëson të papranueshme.
Në një intervistë për rrjetin “Al Jazeera”, Macron tha se qëndrimi i tij është keqkuptuar dhe sqaroi se ai nuk mbështeste përmbajtjen e ilustrimeve, të konsideruara si blasfemi nga myslimanët, por të drejtën për lirinë e shprehjes.
“Unë e kuptoj dhe e respektoj faktin që dikush mund të tronditet nga këto ilustrime, por nuk mund të pranoj që kjo të justifikojë dhunën fizike. Dhe në vendin tim, unë do të mbroj gjithmonë lirinë e shprehjes, së të shkruarit dhe të vizatuarit”, u shpreh Macron.
Franca është kthyer në shënjestër të protestave në vendet me shumicë myslimane për shkak të karikaturave.
Samuel Paty, mësues i një shkolle të mesme, u vra më 16 tetor nga një 18-vjeçar çeçen sepse u kishte treguar nxënësve të tij karikaturat e “Charlie Hebdo”.
Ndërsa të enjten një agresor që bërtiti “Allahu është i madh” vrau me thikë 3 persona në kishën Notre Dame të Nisës, para se të qëllohej nga policia.