Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një ndër shumë rastet që është raportuar së fundmi ka ndodhur në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku një burrë ka rrahur bashkëshorten e tij, pas një mosmarrëveshje verbale.
Sinjali mëson se rasti është raportuar gjatë ditës së djeshme, kur viktima vendosur që ta denoncojë në Polici burrin e saj, për dhunën që ka ushtruar.
Burri nga Bresalci po dyshohet se e ka sulmuar bashkëshorten e tij, duke e goditur me rrip të pantallonave disa herë në pjesët e trupit dhe si pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor.
Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur burrin e dyshuar, ndërsa viktima është dërguar për kontroll mjekësor në Spitalin e Gjilanit dhe me pas është dërguar në strehimore, aty ku ndihet më e sigurt për të jetuar.
Ndaj të dyshuarit, Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe kanë nisur hetimet për veprën penale “dhunë në familje”.