Të shtunën vendi u trondit nga një ngjarje e rëndë në Prishtinë, ku një 11-vjeçare u dhunua nga pesë persona.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se katër persona janë arrestuar, ndaj dy prej tyre është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, ndërkaq personi i pestë i njohur për Policinë është në kërkim.
E lidhur me dhunimet seksuale ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka shkruar lidhur me seriozitetin që kanë këto lëndë në Gjykata, ku më shumë theksoi se janë parashkruar sesa që ka pasur dënim me burgim.
Referuar disa statistikave të publikuara nga kallxo.com, Haxhiu thotë se situata nuk mund të ndryshojë nëse zyrtarët përgjegjës nuk e marrin ndëshkimin për mosveprim e neglizhencë dhe nëse këto raste nuk trajtohen me prioritet.
“Lidhur me dhunimet seksuale, sipas statistikave më shumë ka parashkrime të këtyre lëndëve sesa dënim me burgim.
Situata nuk mund të ndryshojë nëse zyrtarët përgjegjës nuk e marrin ndëshkimin për mosveprim e neglizhencë dhe nëse këto raste nuk trajtohen me prioritet.
Kushdo që nuk e kryen detyrën, duhet të largohet nga detyra dhe pikë. Nuk kemi fëmijë, vajza dhe gra për t’u dhunuar dhe as për t’u vrarë!
*Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve konsiderohen më të lartat në rajon!”, shkruan Haxhiu.