Në sallën e kuvendit të komunës së Fushë-Kosovës është bërë dorëzimi i çelësave për 16 përfitues të cilët nga sot do të jetojnë në shtëpi të reja duke falënderuar komunën e Fushë Kosovës dhe organizatën “Qatar Charity” nga Katari.
Kryetari i komunës, Burim Berisha priti përfaqësuesin e lartë të organizatës “Qatar Charity”, Khalid Abdulla M H Alyafei me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit shprehën gëzimin që 16 familje përfituese të cilat ishin në gjendje të rëndë sociale tani e kanë të zgjidhur këtë problem jetik.
Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie Berisha tha ndër të tjera se “Ky projekt i mbështetur nga organizata juaj është shumë i rëndësishëm në aspektin social e zhvillimor por mbi të gjitha ka vlera humanitare sepse i atribuohet qytetarëve të cilët kanë jetuar në kushte jo të mira të banimit. Komuna jonë ndihet shumë falënderuese për mbështetjen e vazhdueshme dhe realizimin e projekteve të tjera në të ardhmen. Donacioni për ndërtimin e këtyre shtëpive ishte një lehtësim edhe për neve si komunë ndonëse kemi pas ndërtime edhe më herët falë investimeve të ndryshme qoftë nga komuna qoftë nga organizata të ndryshme humanitare”.
Përfaqësuesi i organizatës nga Katari “Qatar Charity” Alyafei theksoi se ndihet tejet i lumtur që ndodhet në qytetin e Fushë-Kosovës, dhe se shteti i tyre ka arritur të ndihmoj Kosovën me projekte të ndryshme e veçmas duke ndihmuar familjet në nevojë.
“Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të ndihmojmë qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës me projektet tona, për të ndihmuar familjet të cilat vërtetë kanë nevojë si dhe projekte të tjera që janë në interes të zhvillimit dhe edukimit”, tha ndër të tjerash përfaqësuesi i shtetit Katarit.