Eusebio Di Francesco dëshiron që fitorja ndaj Beneventos të jetë një pikë rifillimi për Romën dhe thotë se e ka ditur se Cengiz Under do të rezultojë lojtar i mirë.
Giallorossët fituan me rezultat 5-2 dhe e tejkaluan Lazion në tabelë, ndërsa kishte kohë që nuk kanë shënuar kaq gola në një ndeshje.
“E nisëm më një hendikep”, e ka nisur trajneri intervistën për Mediaset Premium duke iu referuar golit të hershëm të Guilhermes që e heshti Olimpicon.
“Si gjithmonë, skuadra krijojë shumë raste shënimi, mirëpo jam i irrituar për mënyrën se si i pranuam dy golat”.
“Kjo duhet të jetë një pikë fillimi për ne. Ishte e rëndësishme që t’u kthehemi fitoreve (Roma ka shënuar dy fitore radhazi), por edhe që Edin Dzeko dhe Gregoire Defrel duhej t’iu ktheheshin golave”, ka deklaruar Di Francesco.
Dzeko i dha fund serisë së ndeshjeve pa gola, ndërsa më shumë dukej i hidhëruar sesa i kënaqur.
Ndërkohë që ylli i ndeshjes ishte turku 20 vjeçar Cengiz Under, i cili në dy ndeshje ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar dy asistime.
“Jam i kënaqur se lojtarët e rëndësishëm i ndryshojnë ndeshjet… Cengiz Under është vetëm 20 vjeç… Nëse vazhdon të stërvitet me përkushtim dhe ambicie, ai mund të bëhet lider në fushë”, ka shtuar trajneri.