Di Lellio e cilëson grevën e minatorëve “fillimin e fundit të Jugosllavisë”

Prishtinë | 24 Shk 2025 | 12:33 | Nga Hasan Hoti

Profesoreshë Anna Di Lellio ishte mysafire e parë për vitin 2025 e programit “Leksione albanologjike”, nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka mbajtur një ligjëratë të veçantë me temën “The Oral Tradition in the 21st century (Tradita gojore në shekullin XXI)”. Grevën e minatorëve e cilësoi si “fillimin e fundit të Jugosllavisë”.

Në Kosovë kishte hyrë atëherë kur kishin hyrë edhe trupat e NATO-s. Derisa ka treguar se çfarë i kishte bërë përshtypje në objektin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Figura e komandantit legjendar Adem Jashari në ballë të këtij objekti, thotë ta ketë bërë kureshtare të dinte më shumë rreth tij, e për këtë shkoi të hulumtonte në Prekaz ku edhe e kishte mësuar të vërtetën për të.

Di Lellio, që librat e saj i ka shkruar mbi bazën e historive orale, ka treguar për librin e saj të parë që kishte shkruar rreth Betejës së Kosovës.

“Zbulova që njerëzit thoshin se Millosh Kopiliçi ishte shqiptar e jo serb. Libër që ka tetë variante të ndryshme të këngës për Millosh Kopiliçin, është një ep i tërë që ai paska qenë shqiptar e jo serb, dhe ky ishte zbulim i madh”, tha ajo.

Një tjetër libër për të cilin foli dhe tha të jetë tejet krenare, është edhe “Dimri i gjatë i vitit 1945” që ka të bëjë me masakrën e Tivarit.

“Është si një novelë grafike e ilustruar, ky libër ka lindur nga regjistrimet me të mbijetuar të kësaj masakre”, tregoi ajo.

Ndërkohë, kur foli për librin e saj të fundit, “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, tha se qëndresa e rezistenca e minatorëve, ishte një moment kyç në historinë e Kosovës.

“Dhe kam organizuar historinë e vonshme të Kosovës përreth tri datave, tri ngjarjeve. Së pari Trepça në vitin 1989, Prekazi në vitin 1998 dhe intervenimi i NATO-s në 1999. Trepça për mua kur kam filluar të lexoj për të, dhe them me vete, pse nuk kujtohet Trepça, siç mbahet në mend Reçaku e Prekazi?. Dhe kam lexuar më shumë dhe kam kuptuar që, Trepça është goxha e komplikuar si grevë, dhe kam filluar të krijoj mendimin që Trepça ka qenë fillimi i fundit të Jugosllavisë”, tha tutje ajo në këtë ligjëratë.

Profesoreshë Anna Di Lellio është studiuese nga SHBA me angazhim hulumtues dhe akademik në Kosovë, e njohur për punën e saj në fushat e studimeve shqiptare, historisë dhe antropologjisë.

Ajo njihet veçanërisht për hulumtimet e saj mbi shoqërinë e pas luftës në Kosovë, historinë e saj dhe trashëgiminë kulturore, me një fokus te traditat gojore dhe rolin e tyre në shoqërinë bashkëkohore.

Është ligjëruese në Programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York University (New York, SHBA) dhe në Universitetin Amerikan në Prishtinë (RIT, Kosovo), si dhe bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë. Për kontributin dhe angazhimin e saj në çështjet e kulturës kombëtare, është dekoruar nga presidentja e Republikës së Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, në vitin 2015.

Të ngjashme