Kur një program ngërthen vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Beethoven, Schumann e Brahms, është e qartë se performuesit i pret një sfidë. Pianisti Lovre Marushiq dhe violonçelistja Latica Aniq nga Kroacia kanë bërë pikërisht këtë.
Në një mbrëmje të vetme morën publikun në rrugëtim muzikor prej klasikes, në romantizëm e për të përfunduar me një kompozitor ndryshe nga tre të parët. Prej Gjermanisë kaluan në Argjentinë, me ritmet e Piazzollas.
Të dy instrumentistët e rinj u bënë pjesë në edicionin e 9-të të festivalit “Chopin Piano Fest”, në mbrëmjen e katërt, e cila nisi me “12 variations on a theme from Handel”. Këto variacione sjellin një botë të gjerë muzikore me melodi e fraza nga ato të qeta tek dramatiket e me vështirësi teknike, pikërisht për shkak të ndryshimeve ritmike.