Duke përjashtuar disa nga deklaratat populiste, të cilat janë pothuajse të pashmangshme në vizita të tilla, vizita e homologut nga Serbia u përmbyll pa asnjë incident.
Kështu ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në faqen e tij në Facebook duke komentuar vizitën e djeshme në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Me këtë rast, presidenti Thaçi ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vazhdojë dialogu ndërshtetëror në nivelin më të lartë politik, “të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja”.
Postimi i plotë i Hashim Thaçit:
Duke përjashtuar disa nga deklaratat populiste, të cilat janë pothuajse të pashmangshme në vizita të tilla, vizita e homologut nga Serbia u përmbyll pa asnjë incident.
Kjo sjellje civilizuese dhe tolerante dëshmon pjekurinë tonë qytetare dhe shtetërore. Toleranca dhe mirëkuptimi duhet të mbesin parime udhëheqëse edhe kur janë në pyetje marrëdhëniet ndërshtetërore në rajonin tonë.
Duke u bazuar në këto parime, Republika e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, deri në arritjen e marrëveshjes historike për paqen dhe pajtimin.
Një marrëveshje e tillë është e domosdoshme, sepse ajo sjellë perspektivë të qartë për integrime euroatlantike për të dy shtetet.
Më vjen mirë që edhe homologu nga Serbia, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, ka theksuar disa herë rëndësinë e dialogut, si rrugën e vetme për normalizim dhe pajtim.
Prandaj, unë besoj që shumë shpejt do të vazhdojmë dialogun ndërshtetëror në nivelin më të lartë politik, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja. HTH