Dialogu duhet të vazhdoj… por i reformuar

Prishtinë | 14 Tet 2023 | 15:09 | Nga Shenoll Muharremi

I transformuar dhe pragmatik.. me një fund të shpejtë dhe qartë në horizont. Nuk ka dilemë që diplomacia dhe dialogu duhet të vazhdojnë të jenë mjet kryesor për mirëmbajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë së stabilitetit në Ballkanin Perendimor. Kosova duhet të ulet në tavolinë me sponzorizues të agresionit, kështu e ka politika dhe diplomacia. Bisedat nevojiten edhe me armikun tënd për të ndalur dhe parandaluar dhunën, terrorin dhe luftën. Kur nuk ka dialog, ka dhunë dhe mundet me pas luftë. Pra, në këtë kontekst, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, por vetëm kur përfshihen mësimet nga e kaluara dhe rasti i 24 shtatorit, sulmi në Banjskë.

  1. Dialogue duhet të Fokusohet dhe Ngushtohet në Arritjen dhe Zbatimin e Marrëveshjes Finale ku përfshihet asociacioni në shkëmbim për njohje. Nuk duhet të jetë një dialog i hapur në aspektin kohor që zgjatë me dekada tjera. Kosova dhe Serbia duhet të finalizojnë këtë përpjekje me një akt final, Marrëveshje Finale që duhet të arrihet me (a) Shuttle diplomaci mes Prishtinës dhe Beogradit jo më gjatë se 2-3 muaj; (b) Me ekip të ri diplomatësh të shteteve krye të procesit, mundësisht Gjermani+Francë+SHBA; (c) Me një Konferencë të Nivelit të Lartë në Janar 2024 për Marrëveshjes Finale ku përpos Kurtit dhe Vuçiq, marrin pjesë edhe Kancelari Scholz, Presidenti Macron dhe Sekretari Blinken.
  2. Pasiqë Marrëveshja Finale mes Kosovës dhe Serbisë finalizohet në Janar 2024, fokusi i zhvillimeve rreth procesit duhet të vendoset në veri të Kosovës për dhe me serbët dhe komunitete lokale që jetojnë atje. Serbia, Beogradi zyrtar, Vuciqi…. kanë mbaruar punë me Marrëveshjen Finale dhe nuk kanë më çfarë të përzihen e marrin pjesë. Fundja mundemi me dyshu që Beogradi zyrtar nuk ka interes tëe përfundojë asnjëherë këtë dialog, sepse i konvenon të mbajë peng Kosovën, duke mbajtur dialogun dhe krizën në veri të hapur dhe papërfunduar. Qeveria e Kosovës duhet 100% të fokusit që ka pasur në dialog të kthejë kah veriu dhe njerëzit që jetojnë aty..
  3. Transformimi nga Politika në Jetë dhe Ekonomi. Tashmë është e qartë që dialogu politik si është zhvilluar deri më tani ka prodhuar terror në vend të paqes. Intervenimet politike vetëm se e kanë ndezur krizën edhe më shumë. Nevojitet ndryshim dramatik i diskursit. Qeveria e Kosovës në vend të dialogut me Beogradin duhet të hartojë plan të fortë ekonomik për veriun e Kosovës, ku marrin pjesë edhe Mitrovica Jugore dhe Vushtrria. Investimet biznesore, infrastruktura e përmirësuar, punësim atraktiv, muzikë, sport dhe art është ajo që nevojitet atje, jo një dialog i përhershëm mes liderëve të lartë që pak herë mendojnë për banorët e zonës në fjalë.
  4. Dialogu Kosovë-Serbi të ankornohet tek kapitujt e negociatave të Anëtarësimit në BE për dy vendet. Çështje tjera eventuale të hapura mes Kosovës dhe Serbisë, pas arritjes së Marrëveshjes Finale në janar 2024 të bëhen pjesë e kapitujve të negociatave të Serbisë dhe Kosovës për Anëtarësim në BE. Edhe ashtu shumica absolute e politikave dhe pozicioneve janë të përfshira në kapitujt e anëtarësimit. Kjo është mënyra më pragmatike si të vazhdohet me dialog mes dy vendeve pas arritjes së marrëveshjes finale nëse ende ka punë të hapura.
  5. Kosova duhet të konsideroj seriozisht të zgjeroj ekipin e vendim-marrjes së dialogu apo marrëveshjes finale. Kryeministri Kurti nuk duhet dhe nuk është aspak e mençur dhe nevojshme të marrë vendimin dhe përgjegjësinë vet. Ai nuk e ka askënd në koalicion qeveritar dhe nuk gëzon mbështetje nga spektri politike e as konsensus nuk ka. Atëherë, mënyra më e mirë dhe pragmatike të vazhdohet me finalizimin të dialogu dhe arritje të Marrëveshjes Finale fillim vitit të ardhshëm është të zgjerojë ekipin dhe të përfshijë edhe opozitën dhe presidenten përfshi shoqërinë civile nëse e mundshme. Pozicioni dhe vendimi final i Kosovës të jetë i të gjithëve dhe jo i një partie apo njeriu. Kjo është jo vetëm e mirë por edhe zgjidhje kualitative që ka qëndrueshmëri historike: E kanë pranuar të gjithë do shkruhet e thuhet në të ardhmen. Gjithashtu, disa perspektiva dhe mendime janë shumë më të vlefshme sesa një, edhe pse është më vështirë të arrihen dhe kërkojnë më shumë punë dhe mund.
  6. Kështu përfundimisht, dialogu fokusohet dhe ngushtohet në arritje të marrëveshjes dhe kjo saga me dekada që po humbas kuptimin e saj përfundon. I gjithë fokusi kthehet tek njerëzit që jetojnë në atë zonë e jo tek interesat e Beogradit apo Prishtinës. Nga politika dalim tek ekonomia dhe jeta, mirëqenia dhe kushtet e mira… stabilitet dhe prosperiteti i njerëzve. Tashmë kemi shumë mësime nga e kaluara dhe situata nuk ka qenë asnjëherë më e qartë. Asnjëherë nuk është ditur më shumë se çfarë nevojitet të bëhet dhe si të procedohet më tutje. Një dialog pragmatik, i fokusuar.. dhe me një fund që shihet!

Të ngjashme