Për tre ditë nga datat 11 deri më 13 qershor qyteza e vogël bregdetare, Carbis Bay në Cornwall të Britansë së Madhe do të jetë qendra politike e botës.
Aty do të mbahet takimi i liderëve të shtatë vendeve më të industrializuara, SHBA, Kanada, Gjermani, Itali, Japoni, Britani e Madhe.
Në mesin e temave të diskutimit në këtë samit që është dalja e parë në arenën ndërkombëtare e presidentit amerikan Joe Biden pas zgjedhjes në këtë post do të jenë dhe Ballkani Perendimor dhe rruga e tij drejt integrimeve euro-atlantike. Në mënyrë më specifike pritet të preket dialogu Kosovë-Serbi.
Këto pika në agjendë as nuk i pohoi e as mohoi një zyrtar i lartë nga Samiti i G7.
“Udhëheqësit pritet të diskutojnë një sërë çështjesh aktuale të politikës së jashtme. Ne nuk mund të komentojmë mbi pikat specifike të agjendës në këtë fazë “ thuhet në përgjigjen për Klan Kosova.
Paraprakisht ka qenë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas i cili të martën tha se në samitin që mbahet pas disa ditësh padyshim se do të flitet për procesin e integrimeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor.
Ato janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja Herzegovina dhe Serbia.