Dialogu Kosovë-Serbi ka humbur kuptimin, duke u shndërruar edhe në mjet revanshi politikanëve nga të dy shtetet. Kështu është thënë në ditën e parë të konferencës për siguri, që po mbahet në Beograd, ku mes tjerash u diskutua edhe për dialogun e Brukselit, shkruan sot Koha ditore.
Mungesa e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi dhe tensionet e ngritura së fundi kanë reflektuar edhe Konferencën e Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë.
Moderatori i panelit, Alex Roinishvili Grigorev, i cili është President i Këshillit për Qeverisje Përfshirëse ka shprehur nervozizmin e tij, kur është dashur t’i prezantojë panelistët.
Nga nëntë vetë sa kishte planifikuar t’i ketë përballë, ishin vetëm katër. Mungonin katër përfaqësues nga Kosova, të cilët vendosën ta bojkotojnë Konferencën e organizuar nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, për shkak se autoritetet serbe vazhdojnë ta mbajnë në paraburgim drejtorin e Policisë për Mitrovicë, Nehat Thaçi.
Dy zëvendësministrat e Qeverisë, Ramadan Ilazi e Bajram Gecaj, deputeti Ilir Deda, si dhe përfaqësuesi i “Vetëvendosjes”, Dukagjin Gorani, nuk ishin pjesë e panelit. Por aty mungoi edhe drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, edhe pse më herët kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Megjithatë, Serbia u përfaqësua nga një zyrtare qeveritare dhe një nga parlamenti. I vetëm nga Kosova ishte Naim Rashiti, hulumtues. Pjesë e panelit ishte edhe Pierr Mirrel, drejtor nderi në Komisionin Evropian.