Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të rikthejë çështje të mbyllura.
Pas takimit me delegacionin kosovar, Basha është shprehur se theksi në këtë kohë sfidash për Kosovën dhe rajonin është tek uniteti, raporton EkonomiaOnline.
“Tek bashkimi i faktorit politik, dhe qëndrimi i forcave politike në Kosovë për të shërbyer interesit kombëtar dhe interesit të popullit të Kosovës që është pronari i sovranitetit të Kosovës, mbi parimet e integritetit territorial, pacenueshmërisë së kufirit, dhe përcaktimin e qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-s dhe BE,” është shprehur Basha në një konferencë të përbashkët me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Basha bëri të ditur qëndrimin se Partia Demokratike mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve të dy vendeve dhe njohjes reciproke si gurthemeli për rrugëtimin evropian të dy vendeve dhe natyrisht si një lehtësues për anëtarësimin e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, raporton EO.
“Ne besojmë fuqishëm se dialogu Kosovë-Serbi mund të bazohet vetëm në realitetin e njohur botërisht dhe jo të rikthejë çështje që janë mbyllur pas një investimi prej dekadash, një sakrifice të jashtëzakonshme njerëzore, humbje jetësh dhe një investimi miliarda dollarë, euro dhe marka, qindra mijëra bijë dhe bija të perëndimit që kanë shërbyer me apo a uniformë për të siguruar paqen dhe stabilitetin që u çimentua me pavarësinë e Kosovës.”
Sipas tij, është e rrezikshme për stabilitetin në rajon të hapen këta kapituj të mbyllur me sukses përmes një investimi të Kosovës dhe aleatëve, sikundër është e një rëndësie themelore që forcat politike në Kosovë të bashkëpunojnë për të zmbrapsur çdo lloj ofensive, raporton EO.
Ai edhe një herë shprehi vendosmërinë se opozita dhe Partia Demokratike do të mbështesin fuqimisht çdo përpjekje të çdo faktori politik në Kosovë, të gjitha partive politike të Kosovës, që të jenë sa më të bashkuar për t’i shërbyer këtyre objektivave.