Me gjithë ngjyrimin e ndjeshëm të tingujve që dhuron kombinimi i violinës dhe pianos, e veçanta e mbrëmjes së pestë të “Chopin Piano Fest” ka qenë edhe kombinimi ish-student dhe ish-profesor që performuan së bashku.
Pianisti gjerman Clemens Rave dhe violinisti kosovar Visar Kuçi performuan bashkë për herë të parë në Kosovë në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, që me fillimin e “Chopin…” ka ndërruar pamjen e zakonshme, duke e shtuar gjallërinë dhe numrin e publikut.
Ngjyrimit mbizotërues gjatë veprës së parë, për violinë solo, “Sonata II në A-minor” të Johann Sebastian Bach, kompozitor i mirënjohur gjerman i periudhës së barokut, i është përgjigjur niveli i përjetimit që violinistit Kuçi i lexohej në fytyrë.
Te veprat e Frederic Chopin, “Nocturne Fis-dur op. 15,2”, “Waltzer cis-mol, op.64”, “Des duro p. 64, Ballade F-mol op.52”, Clemens Rave është ngjitur për herë të parë në skenën kosovare për të dhënë një dimension tjetër tingujsh, shkruan sot “Koha Ditore”. Në muret anësore të sallës përveç fotografive të tyre dhe performuesve të kaluar, të ngjitura kanë qenë edhe fotografitë e krejt performuesve që do të vijnë në 16 mbrëmjet e festivalit të pianos “Chopin…”. Lista është ende e gjatë.
Dyshja e shumëpritur e mbrëmjes – Rave në piano dhe Kuçi në violinë – në një harmoni dhe bashkëveprim unik, luajtën së bashku veprën “Variations on an Original Theme”, e shkruar nga kompozitori polak Henry Wieniawsky. Në pjesën e dytë, të dy instrumentistët luajtën veprën kulmore të Ludwig van Beethoven, “Kreutzer Sonata op.47”, që shquhet për fushëveprimin emocional, teknikën e saj të vështirë dhe gjatësinë 40 minutash të pazakontë për një sonatë.
Violinisti Visar Kuçi ka thënë pas koncertit se për të mbrëmja ka qenë e veçantë për faktin se pas 13 vjetësh po luan sërish me profesorin e tij, me të cilin kishte bashkëpunuar gjatë studimeve në Gjermani.
Violinistja e njohur Sihana Badivuku ka thënë për gazetën se ish-nxënësi i saj Visar Kuçi me këtë performancë e ka dëshmuar tamam pjekurinë e tij, dhe si energji janë përputhur shumë mirë me pianistin Rave.
Kantautori Genc Salihu, që ishte ndër pjesëmarrësit që e shijoi mbrëmjen, ka thënë se janë bërë dhjetë vjet të “Chopinit” tashmë, dhe ky është një kontribut i jashtëzakonshëm. Një gjë që e ka vërejtur si pjesëmarrës në festival është se në tre vjetët e fundit të rinjtë kanë filluar ta përqafojnë muzikën klasike dhe janë shumë të talentuar. /kohaditore